Thaçi e realizon ëndrrën e tij, në formën më të hidhur të mundshme

E publikuar: 30/06/2015 18:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hashim Thaçi ia ka dalë të shkel më në fund në zyrën e gruas më të fuqishme në botë, Angela Merkel,edhe pse jo ashtu siç ka dashur vet. Për dy mandate, sa ka qenë Kryeministër i Kosovës, Bundeskanzleramt’i, nuk i kishte dërguar ftesë Thaçit, për shkak të reputacionit negativ që e gëzon në Berlin. Ëndrrën e tij, ish-Kryeministri i Kosovës, e ka realizuar vetëm sot, në mënyrën më të hidhur të mundshme për të-nëpërmjet Isa Mustafës.

Hashim Thaçi ka arritur ta takojë më fund Kancelaren Angela Merkel në zyrën e saj në kryqytetin gjerman. Por, këtë ai e ka bërë vetëm si pjesë e delegacionit të kryesuar nga Kryeministri Isa Mustafa, i cili është pritur me nderimet më të larta shtetërore.

Thaçi nuk gëzon reputacion pozitiv në kryeqytetin gjerman, pasi shërbimet sekrete në raportet që bëjnë për Kosovën, emrin e tij e ndërlidhin me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Gjermania është shteti i dytë, pas SHBA’ve, që ka ndikim më të madh mbi kosovarët, por për Hashim Thaçin, si aktorin kryesor të skenës politike kosovare viteve të fundit, asnjë herë nuk ishin hapur dyert në zyrën e Kancelares. Afera me agjentët e BND’së në vitin 2008 vetëm sa i kishte rënduar më shumë këto raporte.

Sido që të jetë, Thaçi kishte arritur ta takojë Merkel gjatë një vizite të saj në Kosovë. Takimi kishte ndodhur në Aeroportin e Prishtinës. Ndërkohë që Thaçi kishte qenë pjesë e një takimi të përbashkët me liderët e rajonit në Berlin, nikoqire e të cilit ka qenë Merkel.

Por,në raport me gjermanët, Thaçi asnjëherë nuk kishte arritur të shndërrohet në interlokutorin kryesor. Kjo nuk ka ndodhur as sot, pasi kryediplomati kosovar ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës, të cilin e ka kryesuar Isa Mustafa./express/