Thaçi: Dokrrat e Serbisë për Shqipërinë e Madhe, të pështira dhe qesharake

E publikuar: 25/04/2017 19:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i vendit Hashim Thaçi i ka quajtur të pështira dhe njëkohësisht qesharake deklarimet e Serbisë për ”përpjekjet e krijimit të Shqipërisë së Madhe”.

Veç tjerash, në reagimin e tij të fundit në llogarinë e tij ne facebook, Presidenti Thaçi të tilla komente i cilëson dokrra, njofton Klan Kosova.

”Nuk ka asgjë më të pështirë dhe njëkohësisht qesharake, se të dëgjosh dokrrat e Serbisë për gjoja “përpjekjet për krijimin e Shqipërisë së Madhe”.

Sigurisht, riaktualizimi i kësaj propagande të vjetër të kohës së Millosheviqit nuk është aspak i rastësishëm. Kjo propagandë e Serbisë, ndër të tjera ka dy qëllime thelbësore.

Së pari, të legjitimoj funksionimin e Serbisë së Madhe të krijuar përmes gjenocidit të kryer në Bosnje dhe Hercegovinë.

Dhe së dyti, t’i nxis elementet nacionaliste dhe ekstremiste për të destabilizuar dhe cenuar integritetin territorial të Kosovës. Serbisë asnjëherë nuk i ka penguar Shqipëria si shtet i pavarur dhe sovran.

Në takimet e dialogut në Bruksel, përfaqësuesit e Serbisë pa fije turpi kanë thënë disa herë se Serbia do të preferonte të dialogonte me Shqipërinë dhe jo me Kosovën. Por, një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur kurrë, sepse Kosova shtet i pavarur dhe sovran është realitet i përhershëm.

E gjithë kjo fushatë e orkestruar nga Serbia është e përgatitur nga protagonistët e njëjtë, të cilët 20 vjet më parë kanë ushtruar zanatin e njëjtë. Fatkeqësisht, BE-ja me naivitetin e saj të zakonshëm në raport me Kosovën, po bie pre e kësaj propagande të Serbisë.

Për rrjedhojë, nuk është rastësi që sjelljet dhe deklaratat e disa zyrtarëve të BE-së përputhen me ato të zyrtarëve të Serbisë kur i referohen Kosovës. Unë nuk pres prej Serbisë të heq dorë nga ëndrrat e saj për përpjekje të serishme për rikthimin e Kosovës nën regjimin e saj, edhe pse e dinë që kjo është e pamundur.

Mirëpo, pres nga BE- ja që ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos manipulohet kaq lehtë nga Serbia. HTH”.