Thaçi dhe Farrugia flasin për diplomacinë parlamentare

E publikuar: 02/06/2015 14:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, ka vazhduar takimet bilaterale në Republikën e Maltës.
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare, Thaçi ka zhvilluar një takim edhe me kryeparlamentarin e Maltës, Anġlu Farrugia, me të cilin ka biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror në diplomacinë parlamentare.

Thaçi dhe Anġlu theksuan se parlamentet e të dy shteteve kanë themeluar komisione parlamentare, që nuk gjenden shpesh as në parlamentet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ata u shprehën se është e rëndësishme që të rritet bashkëpunimin në mes të dy parlamenteve, e posaçërisht të shkëmbehen përvojat në nivel të parlamenteve dhe komisioneve parlamentare, dhe nënvizuan rëndësinë e rolit të kuvendit në mbikëqyrjen e financave publike dhe përgjegjësive publike.

Thaçi ka takuar edhe ministrin e Punëve të Brendshme dhe Sigurisë Kombëtare të Maltës, Carmelo Abela. Thaçi dhe Abela biseduan për bashkëpunimin në sektorin e sigurisë, migracionit dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë.

Zëvendëskryeministri Thaçi tha se paqja dhe stabiliteti në Mesdhe, sikur edhe në Ballkan, ndikojnë edhe në paqen dhe stabilitetin në Evropë. Ai shtoi se Kosova është dëshmuar e suksesshme në luftimin e migrimit ilegal, se merret si shembull për angazhimin e saj kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, dhe se vendi synon të anëtarësohet në EUROPOL dhe INTERPOL.

“E çmojmë mbështetjen e Maltës për anëtarësimin e vendit tonë në organizata të sigurisë. U thash miqve maltezë se anëtarësimi në NATO dhe BE mbeten prioritete kryesore të Republikës së Kosovës,” deklaroi Thaçi. /express/