Thaçi: Bashkimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës e dha rezultatin e tij

E publikuar: 22/06/2020 10:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mirëpritur rezultatin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet parlamentare serbe.

Gjatë së dielës, në Serbi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, lokale e krahinore, raporton Express.

Për herë të parë, partitë shqiptare dolën me një listë të përbashkët dhe falë kësaj, rezultatet tashmë janë shumë më të mira se që kanë qenë në të kaluarën.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, tashmë do të kenë katër përfaqësues në Parlamentin e Serbisë.

Pas këtij lajmi ka reaguar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se bashkimi i shqiptarëve në Luginë të Preshevës e ka dhënë rezultatin e tij.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Thaçi ka shkruar se Alternativa Demokratike Shqiptare është shembull i mirë për t’u ndjekur nga bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë.

Postimi i plotë i Thaçit, pa ndërhyrje:

Bashkimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës e dha rezultatin e tij. Ata tashmë do të kenë më shumë deputetë që do ta ngrehin zërin për të drejtat e shqiptarëve atje.

Bashkërendimi i veprimeve politike jep gjithmonë rezultate dhe Alternativa Demokratike Shqiptare është shembull i mirë për t’u ndjekur nga bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë.