Tevez rrëfen për dallimet e CR7 dhe Messit në stërvitje: Fiksimi i portugezit për të qenë më i miri në gjithçka dhe talenti i lindur i argjentinasit

E publikuar: 12/09/2018 20:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit dhe Juventusit, Carlos Tevez, ka treguar se ku qëndron dallimi kyç ndërmjet Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit.

Portugezi dhe argjentinasi janë dy futbollistët më të mirë në dhjetë vitet e fundit dhe padyshim se bëjnë pjesë në listën e lojtarëve më të mirë në histori.

Gjatë kohës së tij te Unitedi dhe Real Madridi, CR7 e ka fituar pesë herë Ligën e Kampionëve, së bashku me trofe të shumta vendore në Angli dhe Spanjë, ndërsa te Los Blancos ka thyer rekorde të shumta golashënuese te Mbretërit.

Messi, nga ana tjetër, ka luajtur vetëm te Barcelona si lojtar profesionist, duke e fituar katër herë Ligën e Kampionëve, duke fituar trofe të shumta vendore në Spanjë dhe duke thyer rekorde të shumta golashënuese te Blaugranët.

Dy futbollistët e kanë fituar nga pesë herë Topin e Artë në dhjetë vitet e fundit, ndërsa debati i përhershëm se cili është më i miri, vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Opinionin e tij rreth kësaj çështjeje e ka dhënë edhe Tevez (i cili ka luajtur me portugezin te Unitedi dhe me argjentinasin te kombëtarja) duke treguar dallimin ndërmjet dyshes së famshme.

“Lionel Messin nuk e kam parë asnjëherë në palestër. Nuk e kam parë asnjëherë duke u stërvitur se si ta ndalë topin apo përgatitje të këtij lloji. Ai e ka gjithçka të natyrshme, por ai ka ushtruar t’i ekzekutojë penalltitë: Në fillim nuk i ekzekutonte, ndërsa tash i godet të gjitha në skaj të portës”.

“Cristiano gjithmonë ndalej në palestër pas stërvitjeve: Për të është një fiksim që të jetë më i miri në gjithçka, ai gjithmonë arrinte më herët në stërvitje.

“Kur stërvitjet ishin caktuar për orën 9:00 të mëngjesit, unë shkoja në 8:00, ndërsa ai ishte aty. Edhe po të shkoja në 7:30, ai ishte aty. Fillova ta pyes veten: ‘Si mund ta hiqja qafe këtë njeri?’. Kështu, një ditë shkova në orën 6:00, por ai ishte aty!”, ka treguar Tevez. /Telegrafi/