Tetë të vrarë në Mynih, sulmuesit në arrati

E publikuar: 22/07/2016 23:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia në Mynih të Gjermanisë konfirmoi se tetë veta janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në qendrën tregtare Olympia.

Policia tha se sulmuesit janë ende në arrati dhe ka këshilluar njerëzit që të shmangin vendet publike.

Autoritetet e kanë përshkruar gjendjen si “situatë akute të terrorit”.

Dëshmitarët citohen duke thënë se kanë parë tre persona të armatosur.

Helikopterët e policisë janë duke fluturuar mbi qytet, ndërsa forcat speciale janë përfshirë në një operacion masiv të sigurisë.

Kryeministri i rajonit të Bavarisë, Horst Seehofer, ka thirrur një takim me këshilltarët e sigurisë, në lidhje me krizën.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere, ka ndërprerë pushimet.

Republika Çeke tha se ka rritur sigurinë në kufi.

Gazeta Bild raportoi se një person i armatosur është futur në qendrën tregtare Olympia, ka shtënë në njerëz dhe është larguar në drejtim të një stacioni të metrosë.

“Të shtënat kanë nisur në orën 17:52 në një restorant me ushqime të shpejta”, tha zëvendësi i zëdhënësit të policisë në Mynih, Thomas Baumann.

Transporti publik raportohet se është pezulluar pjesërisht.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, premtoi mbështetje për Gjermaninë.

“Zotohemi se do të ofrojmë gjithë mbështetjen për të cilën mund të kenë nevojë”, tha Obama dhe shprehu solidaritet me të prekurit nga tragjedia.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan i Shtetit, Elizabeth Trudeau, tha se autoritetet amerikane po punojnë me ato gjermane për të parë nëse ndonjë shtetas amerikan është prekur.

Nuk ka asnjë informacion për motivin e mundshëm për sulmin.

Forcat e sigurisë në Gjermani kanë qenë në gjendje gatishmërie prejse një migrant ka therur me thikë pesë veta të hënën, në një tren në rajonin e Bavarisë.

Autoritetet kanë paralajmëruar për rrezik nga sulme të tjera./rel/