Tesla prezantoi makinën më të shpejtë në botë, Roadster

E publikuar: 18/11/2017 06:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ishte paralajmëruar se Tesla do të prezantonte kamionin e parë elektrik të kompanisë, por ekzekutivi Elon Musk kishte më shumë supriza.

Në rimorkion e kamionit fshihej një makinë e re, Tesla Roadster, një makinë sportive 200,000 dollarëshe e cila mund të rezultojë makina më e shpejtë në planet.

Gjatë fundit të prezantimit kamioni Tesla Semi hapi rimorkion dhe Roadster-i u shfaq. Makina sportive ka një tavan prej xhami dhe është një version i përditësuar i makinës së parë elektrike të Tesla.

Katër vetë mund të qëndrojnë brenda saj dhe mund të përshkojë deri në 1,000 kilometra me një ngarkim të vetëm, një rekord më vete ky sipas Musk.

Makina përshpejtojnë nga 0-100 km/h në 1.9 sekonda dhe ka një shpejtësi maksimale prej 400 km/h.

Kështu kjo makinë do të ishte automjeti më i shpejtë në botë në rrugët tona. 1,000 modelet e para do të kushtojnë 250,000 dollar secila ndërsa më pas do të kushtojnë 200,000 dollar.

Kamioni Tesla Semi

Musk nuk dha detaje për çmimin e kamionit por tha se prodhimi i tij nis në 2019-ën ndërsa Roadster një vit më pas.

Ekzekutivi i Tesla i sheh kamionët elektrikë si një prej projekteve më të rëndësishëm në të ardhmen ndërsa ekonomia zhvendoset nga kamionët me naftë drejt atyre elektrikë.

Ai mund të përshkojë deri në 800 kilometra me peshë maksimale dhe shpejtësi autostrade tha Musk.

Me një ngarkim prej 30 minutash, ai mund të përshkojë deri në 650 kilometra. Kamionët me naftë sot përshkojnë deri në 1,600 kilometra me një rezervuar karburanti.

Por Musk thotë se kamionët më naftë i kushtojnë pronarëve të tyre 20% më shumë për çdo milje krahasuar me kamionin elektrik. /PCWorld Albanian