Tërnava: Po shikojmë mundësinë e hapjes së xhamive meqë numri i të prekurve me COVID-19 po zvogëlohet

E publikuar: 08/05/2020 15:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë sot se janë duke e shqyrtuar mundësinë për hapjen e xhamive meqë numri i të infektuarve me COVID-19 është duke u zvogëluar dita ditës, raporton Gazeta Express.

Në një mesazh përmes të cilit iu drejtuar besimtarëve myslimanë në ditën e xhuma, Tërnava ka thënë se do të shohin nëse do të jetë e mundur që të fallen namaze e xhumasë dhe ato ditore nëpër xhamia, meqë sitauta më COVID-19 është përmirësuar ndjeshëm.

Ai ka thënë se për një gjë të tillë janë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik.

“Ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik dhe do të shohim mundësinë e parë të faljes së namazeve në xhamitë tona, sigurisht që edhe unë edhe ju të gjithë jemi të etur të kthehemi në shtëpitë e Zotit, se Zoti ne Kuran na ka thënë: “Xhamitë janë të Zotit dhe në to nuk meriton të adhurohet askush përveç Zotit”. Inshallah shumë shpejt me emrin e Zotit do të largohet virusi dhe do të kthehemi xhamive tona”, ka thënë myftiu Tërnava.

Aktualisht Kosova ka më shumtë të shëruar me COVID-19 sesa të infektuar dhe numri i personave të infektuar me COVID-19 që gjenden në Klinikën Infektive është shumë i vogël.

Megjithatë pavarësisht një gjendje të tillë nga IKSHPK bëjnë thirrje për respektim strikt të distancimit social dhe respektimit të rekomandimeve për vendosje të maskave, dorezave dhe mos grumbullimit të panevojshëm.