Tërnava fton për unitet qytetarët e spektrin politik

E publikuar: 04/06/2019 08:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në orën 5 e 36 minuta në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, është falur namazi i Fitër Bajramit ku qytetarë të shumtë madje edhe jashtë xhamisë, në rrugë, kanë kryer faljen e namazit.

Myftiu i Kosovës Naim Tërnava tha se sot besimtari mysliman po e përcjell muajin e Ramazanit ku ngriti edhe më shumë nivelin e dashurisë ndaj Zotit.

Tërnava ka ftuar për unitet qytetarët e vendit e po ashtu edhe spektrin politik, që të gjithë së bashku ta mbrojnë vendin dhe të punojnë për të ardhmen e Kosovës. Tërnava u ka bërë thirrje të gjithëve që të mos braktisin Kosovën, ndërkohë ka bërë thirrje që të krijohen vende punë dhe siguri e mirëqenie për të gjithë.

“Të mos e lëmë, të mos largohemi, të mos migrojmë, por të punojmë për ditë më të mira të atdheut tonë. Fjalët e mia do të doja të dëgjohen si thirrje për të gjithë ne, për popull e Qeveri, të reflektojmë në të mirën dhe për të mirën e atdheut, t’u krijohen mundësi të reja për punësim rinisë tonë, në mënyrë që ata të mos e marrin botën në sy, që tek ne të rinjtë tanë të mos fitohet përshtypja se ky vend është i pa perspektivë e fatin e tyre për jetë më të mirë të mendojnë se mund ta gjejnë vetëm duke u larguar nga Kosova, por edhe trojet tona tjera shqiptare”, tha ai.