“Termokos” po i shet makinat për një çmim qesharak

E publikuar: 28/09/2017 08:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Menaxhmenti i ngrohtores së qytetit “Termokos” përmes një ankandi publik ka nxjerrë në shitje disa vetura e ku çmimi i tyre fillestar është tejet qesharak. Një automjet “Mitsubishi”, i regjistruar, është nxjerrë në shitje vetëm për 350 euro.

Përmes një ankandi publik menaxhmenti i ngrohtores së qytetit “Termokos” në Prishtinë ka nxjerrë në shitje disa automjete e ku çmimi i tyre fillestar është tejet qesharak.

Një automjet “Mitsubishi”, i regjistruar, i prodhuar në vitin 1999, është nxjerrë në shitje vetëm për 350 euro. Po ashtu, një automjet tjetër “Renault Twingo”, i regjistruar, i prodhuar në vitin 2008 është nxjerrë në shitje për vetëm 430 euro.

Po ashtu edhe një automjet tjetër “Renault Clio”, disel, i regjistruar, i prodhuar në vitin 2008, është nxjerrë në shitje për vetëm 450 euro.

Në njoftimin e publikuar në uebfaqe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) thuhet se autoriteti kontraktues ka për qëllim shitjen e automjeteve jashtë përdorimit përmes ofertave publike të mbyllura.

Aty më tutje thuhet se automjetet jashtë përdorimit shiten në kushte “Siç janë, ku janë” dhe autoriteti kontraktues nuk do të ketë përgjegjësi të mëtutjeshme pas shitjes. Më tutje në njoftimin e publikuar në uebfaqe të KRPP-së thuhet se ofertimi është i hapur për të gjithë ofertuesit e interesuar që përmbushin kërkesat minimale për kualifikim. Personat juridikë duhet t’i plotësojnë: një dokument identifikues (letërnjoftim, pasaportë apo patentën e shoferit të vlefshëm), si dhe certifikatën e regjistrimit të biznesit. /Zëri