“Tërheqja taktike” si dështim

E publikuar: 07/10/2017 00:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sa herë përmend dikush “tërheqjen taktike” na vjen ndërmend koha e luftës dhe arsyetimet që jepeshin atëherë nga komandantë të ndryshëm, për tërheqje nga një territor i caktuar. Në pamundësi për t’u përballur me ofensivën e forcave serbe, ata thoshin se ishin tërhequr taktikisht nga zonat që i mbanin nën kontroll.

“Tërheqja taktike” u kthye sërish këto ditë në vëmendje, kur Qeveria vendosi të tërhiqet nga riaplikimi për anëtarësim në UNESCO pak kohë pasi, po ashtu, për arsye “taktike” e “pragmatike” ishte tërhequr nga aplikimi për Interpol. Në të dyja rastet, qeveria u arsyetua se rrethanat për të aplikuar ishin jo të favorshme, por se kështu kishin sugjeruar edhe SHBA dhe vendet e Quintit.

Zakonisht për dështimet e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare është fajësuar Serbia, e cila vazhdon luftën e ashpër diplomatike për ta penguar shtetin e ri në çdo hap. Por, këtë vit Kosova ka hequr dorë vullnetarisht nga aplikimi.

Në rastin e parë problematik është parë aplikimi i Palestinës e cila, megjithatë, u bë pjesë e Interpolit. Në të dytin, frika se mos nuk mund të sigurohen votat e mjaftueshme. Një dështim i dytë në UNESCO do të ishte fatal.

Rezistenca e Serbisë në çfarëdo përpjekje të Kosovës për të shtuar subjektivitetin ndërkombëtar është e madhe por, përtej kësaj, në të tilla raste nuk përjashtohet as përgjegjësia e institucioneve shtetërore kosovare.

Qasja individualiste, e jo institucionaliste ka bërë që dështimet të jenë të pashmangshme. Anëtarësimi në UNESCO nuk është përgjegjësi vetëm e një dikasteri të caktuar qeveritar, por e një bashkëpunimi serioz ndërmjet disa ministrive. Ky bashkëpunim ka munguar dhe nga dështimi i vitit 2015 leksioni nuk është mësuar.

Në vend se të intensifikohen përgatitjet brenda vendit dhe koordinimi me partnerë ndërkombëtarë, klasa politike kosovare u mor me rrëzim qeverie e organizim zgjedhjesh. Qeveria e kaluar akuzohej për mungesë vendimesh të mëdha, ndërkohë që qeveria aktuale u tërhoq nga marrja pikërisht e vendimeve të tilla.

* * *

Jo vetëm çështja e Interpolit dhe UNESCO’s mund të mbeten “tërheqje taktike e pragmatike” në përpjekjet e zyrtarëve të qeverisë aktuale. Demarkacioni me Malin e Zi, një ndër problemet e ngritura në kauzë politike nga kryeministri i tashëm, po provohet të paraqitet si çështje që do të mund të zgjidhet sipas premtimeve të tij, pavarësisht se një gjë e tillë është e vështirë, për të mos thënë e pamundur.

Kryeministri Ramush Haradinaj vazhdon të insistojë se kufiri është në Çakorr dhe Kullë të Zhlepit dhe se Kosova ka humbur më shumë se tetë mijë hektarë tokë. Qytetarët e Kosovës presin që ky pretendim të përligjet dhe humbja e pretenduar e territorit të përmirësohet.

Por, zyrtarë qeveritarë tash po thonë se Haradinaj e kryen obligimin ndaj demarkacionit duke i dërguar në Kuvend gjetjet e komisionit të ri. Një zgjidhje “pragmatike” kjo, por që nuk jep përgjigje në pretendimin thelbësor – që kufiri të kthehet në Kullë dhe Çakorr.

Ndërkohë, një përpjekje për “tërheqje taktike” nga përgjegjësia shtetërore për të zgjidhur demarkacionin e bëri edhe shefi i diplomacisë, Behgjet Pacolli, i cili në Bruksel kërkoi që për liberalizimin e vizave “të shmanget” ky kusht, një kërkesë kjo që nuk është marrë parasysh nga zyrtarët e Bashkimit Evropian.

E shmangie nga përgjegjësia institucionale provohet të bëhet edhe kur flitet për demarkacionin, si i vetmi kusht për heqjen e vizave, ndërkohë që zyrtarë të BE’së jo më larg se para pak ditësh përmendën edhe kushtin e dytë që rrallë zihet në gojë nga udhëheqësit e institucioneve kosovare – luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dështimi për liberalizimin e vizave nuk mund të mbulohet me propozime taktike e pragmatike, por është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës.

* * *

Me vendime “pragmatike” Qeveria e re nisi që në ditët e para, siç ishte rasti i banorëve të Hades e Shipitullës. Në vend se me veprimet e tyre antiligjore të merren organet përkatëse, u vendos që ata të shpronësohen për dhjetëra shtëpi të ndërtuara jashtëligjshëm. Ata që shantazhuan shtetin, u shpërblyen nga shteti. Veprime të ngjashme mund të konsiderohen edhe ato për shkarkimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë – një vendim i ngutshëm dhe i paarsyetuar si duhet, si dhe shkarkimi selektiv i anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike, që shërbejnë për pazare ndërmjet partive politike.

Pritjet e qytetarëve për Qeverinë Haradinaj janë të mëdha dhe kjo bën që edhe presioni të jetë i madh. Por, kjo nuk nënkupton se vendimet duhet të merren pa i studiuar mirë problemet. “Tërheqjet taktike” mund të kenë qenë të nevojshme dhe të pashmangshme në luftë. Tash koha është për vendime të mëdha, që thuhej se i kanë munguar qeverisë së kaluar.