Tensione në ndeshjen e barazhit Trepça ’89 – Vëllaznimi, shpërthen në akuza Cana

E publikuar: 01/06/2019 20:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trepça ’89 siguroi mbijetesën në Superligë edhe për një edicion falë fitores 4:2, ndaj Vëllaznimit në ndeshjen e barazhit që u zhvillua të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në ndeshjen më të bukur të barazhit, me shumë gola, rivalitet e dramë, mitrovicasit ishin vendimtarë në pesën e dytë.

Pas harkimit të Ardijan Mujës, në minutën e 14-të golin e parë për Trepçën ’89 e shënoi me kokë Richard Asare, raporton KTV.

Katër minuta më vonë, gjakovarët kërkuan penallti, por arbitri Mervan Bejtullahu, nuk mendoi ashtu.

Por, Tun Bardhoku në minutën e 25-të shënoi për ta barazuar rezultatin pas harkimit të Samir Sahitit.

Bardhoku më pas ishte edhe shpëtimtar i Vëllaznimit, pasi bllokoi gjuajtjen e Arb Manajt.

Dy minuta pa përfunduar pjesa e parë, Labinot Jetullahu shërbeu Almedin Muratin, i cili shënoi për Vëllaznimin për ta dërguar në pushim me epërsinë e një goli.

Mitrovicasit në minutën e 54-t qëlluan traversën nëpërmjet Ardian Mujës, derisa një minutë më vonë Arb Manaj shënoi për ta barazuar rezultatin.

Nuk vonoi shumë, Hasan Hyseni shënoi për epërsinë e ekipit të tij në portën e pasiguruar nga portieri Altik Muhaxhiri. Dhe ai me shokët e tij të skuadrës e ndau festën në stilin e Cristiano Ronaldos.

Vëllaznimi provoi ta kthejë sërish rezultatin, por gjuajtjet e Lek Vulës dhe Almedin Muratit përfunduan jashtë portës.

Hyseni i ekipit nga Mitrovica qëlloi shtunën në minutën e 77-të, kurse Engjëll Hoti shënoi tre minuta pa përfunduar ndeshja për rezultatin përfundimtar, 4:2.

Pasi u shënua goli i katërt, në fushë nisën tensionet ndërmjet futbollistëve, ku u përjashtuan Kushtrim Gashi dhe Ylber Maloku.

Futbollistët e Vëllaznimit nuk pajtoheshin me humbjen dhe ndarjen e drejtësisë nga gjyqtari Bejtullahu i cili nga fusha u largua me sigurim të lartë nga njësiti policor i Kosovës.

Derisa kryetari Agim Cana po akuzonte se Trepça ’89 është ndihmuar për të mbetur në Superligë, futbollistët e Vëllaznimit nuk po mund t’i mbanin lotët.

Kryetari i ekipit nga Gjakova në dhomën e zhveshjeve, ishte i mllefosur me ndarjen e drejtësisë.

Cana në fund të fjalimit të gjatë, kërkoi nga futbollistët ta ngrinin kokën lartë dhe të luftojnë për t’u ngritur në Superligë.