Tension në Pakistan pas protestave vdekjeprurëse

E publikuar: 26/11/2017 17:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeqyteti i Pakistanit ishte i tensionuar të shtunën pasi përpjekjet nga policia për të shpërbërë protestat e besimtarëve ekstremistë përfunduan me dhunë vdekjeprurëse. Demonstruesit kanë bllokuar një autostradë kryesore, duke paralizuar Islamabadin për disa javë. Forcat e sigurisë u përpoqën ta zhbllokonin kryqëzimin kryesor të autostradës të shtunën, por u ndeshën me rezistencë nga protestuesit, të cilët dogjën automjete dhe i hodhën gurë forcave policore.

Islamistët pakistanezë u përleshën sot me forcat e sigurisë për ditën e dytë radhazi në periferi të kryeqytetit të Pakistanit, Islamabad. Ata dogjën automjete para se të tërhiqeshin në një kamp proteste ku janë vendosur për më shumë se dy javë.

“Ky automjet (vetura e policit) u dogj një orë më parë kur arrita në detyrë, protestuesit papritmas sulmuan dhe dogjën automjetin” thotë një polic.

Zyrtarët spitalorë thanë se rreth 200 njerëz u lënduan gjatë protestave, shumica prej tyre policë.

Sipas njoftimeve të mediave, të paktën gjashtë vetë u vranë të shtunën, kur disa mijëra policë dhe paraushtarakë u përpoqën të shpërbënin një protestë të organizuar nga besimtarët ekstremistë, të cilët kanë bllokuar rrugën kryesore në kryeqytet, nga qyteti fqinj i Rawalpindit.

Mbështetësit e partisë Tehreek-i-Labaik kanë ngritur tenda në rrugë për tre javët e fundit, duke kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Drejtësisë, mbi faktin që nuk është përfshirë në një projekt-ligj një referencë se Profeti Muhamed është profeti i fundit në Islam.

“Tehreek-i-Labaik fatkeqësisht po përdorin emrin e profetit të shenjtë; ky është faji i klerikë fetarë, qëndrimi i tyre ekstremist. Atyre s’u bie ndërmend për njerëzit; janë shkatërruar biznese, njerëzit nuk mund të shkojnë në punë ose spital, nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë” thotë një banor i Islamabadit.

Ministri i drejtësisë, Zahid Hamid, kërkoi falje përmos përfshirjen e referencës së profetit Muhamed në projekt-ligj, duke thënë se ishte një gabim administrativ që u korrigjua më vonë.

Por udhëheqësit e protestës ishin të vendosur dhe nuk kanë pranuar të zhbllokojnë kryqëzimin, nëse ministri i drejtësisë nuk jep dorëheqjen.