Tenderi i kundërligjshëm 21 milionësh i Ministrisë së Infrastrukturës

E publikuar: 01/07/2019 10:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit po tenton ta manipulojë një tender që peshon disa miliona euro që ka të bëjë me zgjerimin e rrugës Klinë –Gjakovë.

Tenderi “Zgjerimi i rrugës nacionale N 9.1, segmenti Dollc-Gjakovë” mund ta vë në lëvizje sistemin e hetuesisë.

Para pak javëve, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit –MIT ka shpallur kompanitë fituese për zgjerimin e këtij aksi rrugorë, i cili është i ndarë në tre lote (pjesë), shkruan lajmi.net.

Sipas dëshmive që i posedon lajmi.net, gjatë procesit të vlerësimit për këtë tender, MIT ka bërë shkelje duke shpërblyer me kontratë kompanitë dhe grupet e operatorëve ekonomik të cilët nuk i plotësojnë kriteret sipas dosjes së tenderit.

Vlera monetare e tërësishme për tenderët e shpallur është 21, 022,554 euro.

Për lot 1 është shpallur fitues kompania “Kag Asfalt” nga Prizreni me çmim 8,590, 949.83 euro.

Për lot 2 janë shpallur fitues kompanitë në konsorcium “Mirusha & Geci & Rahovica” me çmim prej 6,99, 494.05 euro, me lider kompaninë “Mirusha Company”.

Kompania “Mirusha” që është lider në pjesën e dytë, është në pronësi të vëllezërve të Sylejman Selimit.

Lajmi.net ka raportuar se në ditën që u lirua Selimi nga detyra e këshilltarit (3 qershor), firma “Mirusha Company” së bashku me dy tjera u shpallën fituese për lotë 2 me çmim prej 6,997, 494.05 euro.

Për lot 3 është shpallur fitues “Lika Trade” nga Deçani me çmim 5, 434, 111.44 euro.

Për tri lote kanë qenë 35 oferta. Për shkelje të mëdha gjatë vlerësimit të tenderit janë ankuar tek Autoriteti kontraktues disa kompani. Të gjitha ankesat ministria i ka hedhur poshtë. Ankesat janë të publikuara edhe në ueb-faqen e krpp-se tek njoftimi për këtë projekt. Më pas kompanitë janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ankesa në OSHP nuk ka pasur për pjesën e dytë, fituese i së cilës ka qenë kompania e familjarëve të Sylejman Selimit. Pasi nuk ka pasur ankesa, ministria ka lidhur kontratë me këtë kompani. Ndërkaq, OSHP-ja akoma nuk është mbledhur për ta gjykuar këtë tender për dy pjesët tjera.

Por, lajmi.net posedon dokumentacionin e të gjitha ofertave fituese, gjë që dëshmon për shkeljet gjatë vlerësimit nga ana e MIT-së tek tri pjesët e tenderit.

Fiks 1,261,334.38 euro më shtrenjtë kanë qenë ofertat e shpallura fituese se sa ofertat më të lira, që për ministrinë kanë qenë të pa përgjegjshme.

Shkeljet në lot1, oferta fituese me çmim më të lartë për 712,946.98 euro

Gjatë procesit të vlerësimit Ministria ka bërë shkelje duke shpërblyer me kontratë kompaninë “Kag Asphalt Company” Shpk, të cilën nuk i plotëson kriteret sipas dosjes së tenderit.

Oferta e kësaj kompanie ka qenë e dyta më e lira, më e lirë ka qenë një ofertë tjetër për 712,946.98 euro, që është shpallur nga MIT e pa përgjegjshme, ani pse papërgjegjshmëria e sajë duket më e vogël se e fituesit.

Për lot 1, sipas Fletës së të dhënave të tenderit tek kërkesat mbi mundësitë teknike dhe profesionale është kërkuar: Lista e kontratave te realizuara përfunduara ne lëmine e kërkuar për periudhën e shkuar tre vjeçare jo më pak se 10,000,000.00 euro. Po ashtu janë kërkuar procesverbalet e pranimit përfundimtar të punëve duke treguar vlerën, datën, natyrën dhe vendndodhjen e projekteve ne lëmine e kërkuar për periudhën e shkuar tre vjeçare.

Sipas dëshmive disa faqeshe që i posedon lajmi.net, kompania “Kag Asphalt” nuk ka ofruar dëshmi të mjaftueshme se ka të përfunduara 3 vitet e fundit 10 milionë euro siç është kërkuar në Fletën e të dhënave të tenderit për Lot 1.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), kompania e ka plotësuar këtë kërkesë, dhe nuk ka pasur shkelje.

Ketë e ka shënuar MIT në Vendimin mbi refuzimin e disa ankesave të parashtruara në ministri nga ana e disa kompanive pas shpalljes së fituesve.

“Operatori i rekomanduar për kontratë për lot 1 i ka ofruar procesverbalet e pranimit përfundimtar të punëve duke treguar vlerën, datën, natyrën dhe vendndodhjen e projekteve në lëmin e kërkuar për periudhën e shkuar tre vjeçar”, ka shkruar MIT në raport, i cili është i publikuar në ueb-faqen e krpp-së.

Sipas dokumenteve që i posedon lajmi.net, kompania ka prezantuar procesverbalet e pranimeve përfundimtare për vitet 2016, 2017 dhe 2018 siç është kërkuar në Fletën e të dhënave të tenderit në vlerë prej 5,034,845.31 euro, vlerë e cila nuk i plotëson kriteret sipas Fletës së të dhënave të tenderit.

“Kag Asfalt” ka paraqitur një kontratë në mes të Agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë në vlerë prej 2,809,341.46 euro për të cilën nuk ka paraqitur pranimin përfundimtarë të punimeve siç është kërkuar në Fletën e të dhënave të tenderit, por ka paraqitur referencën, për kontratën “Ndërtimi i rrugës Retijë – Mamushë” e lidhur në mes të Komunës së Rahovecit dhe kompanisë “Kag Asphalt” në procesverbalin përfundimtarë të punimeve nuk shkruan fare vlera e punëve të realizuara si dhe për kontratën: “Zgjerimi i rrugës Nacionale N9 Segmenti Arllat Kijevë, Sektori “D”, Lot 2 (Llozicë Mleqan) e lidhur në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë “Kag Asphalt” punimet janë përfunduar në vitin 2015 dhe nuk mundë të merret si kontratë e realizuar brenda intervaleve kohore të kërkuara në Fletën e të dhënave të tenderit (brenda 3 viteve) .

Sipas Fletës së të dhënave të tenderit tek kërkesat mbi mundësitë teknike dhe profesionale pika 7 është kërkuar: Lista e mjeteve, stabilimenteve dhe pajisjeve teknike që janë të domosdoshme për realizimin e projektit sipas specifikimit teknik ne dosje te tenderit tek Aneksi 1 për pjesën I , pjesën 2 dhe pjesën 3. Dëshmia 7. Pajisjet të cilat regjistrohen duhet të dëshmohen me librezën e regjistrimit (pajisjet duhet te jene me afat te regjistrimit), ndërsa pajisje tjera, OE duhet ti dëshmoj me një dokument për pronësinë e pajisjeve (faturë, DUD etj).

Kompania e rekomanduar për kontratë për Lot 1 nuk ka ofruar dëshmi siç është kërkuar në Fletën e të dhënave të tenderit pasi që kamionët kanë pasur afat të skaduar të regjistrimit. Regjistrimi i tyre ka qenë i skaduar gjatë vlerësimit të tenderit. Por, sipas ministrisë kur është bërë hapja e ofertave ato pajisje kanë pasur regjistrim.

“Hapja e projektit ka qenë me datë 15.05.2019, ndërsa sa i përket pajisjeve operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë për pjesën 1, të gjitha pajisjet e ofruara ka qenë ,e afat të regjistrimit: Afati i regjistrimit i pajisjeve 04 -108-EF ka skaduar me datë 22.05.2019. Afati i regjistrimit i pajisjes 04 -213 –EG ka skaduar me datë 25.05.2019. Afati i regjistrimit i pajisjes 04 -857 –FL ka skaduar me datë 16.05.2019. Afati i regjistrimit i pajisjes 04 -817 –BD ka skaduar me datë 08.06.2016”, thuhet në përgjigjen e ministrisë dhenë kompanive ankuese.

Por, vlershmi i tenderit është bërë mbi datat e skadences. Megjithëkëtë, lajmi.net ka gjetur se ministria ka gënjyer për pajisjen 04 -857 -FL, kur ka thënë se afat të skadencës e ka datën 16.05. 2019. Sipas dëshmive që i posedon redaksia regjistrimi i këtij automjeti ka skaduar më datë 16.05.2018.

Po ashtu në pikën 6 të listës së pajisjeve është kërkuar Autopompë betoni ndërsa operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë ka ofruar Autobetonjerë e cila nuk është pompë betoni por mikser për transport të betonit. Edhe ky mjet i identifikuar 04 -102 –DT ka qenë me regjistrim të skaduar, para hapjes së ofertave, siç ka thënë ministria, ose me datë 30.04. 2019.

Shkelje edhe në tenderin që u nënshkrua kontrata

Inxhinierin Bujar Makishti, udhëheqësin e punishtes, Mihal Cico, inxhinierin Selim Hoxhaj, të cilët i kanë përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, grupi i operatorëve ekonomik i rekomanduar për kontratë për Lot 2 “Mirusha Company” Shpk, “Geci” & “Rahovica Comerce” nuk e ka prezantuar për ta nostrifikimin e diplomave nga Ministria e Arsimit në Kosovë, pasi që ç’do diplomë e ardhur nga jashtë Kosove për të qenë valide në Republikën e Kosovës duhet ti nënshtrohet procesit të nostrifikimit në Ministrinë e Arsimit.

Megjithëkëtë, ministria ka thënë se nuk ka kërkuar që diploma të jetë e notifikuar nga Ministria e Arsimit të Kosovës.

Ndërkaq, sipas Fletës së të dhënave të tenderit tek kërkesat mbi mundësitë teknike dhe profesionale pika 7 është kërkuar: Lista e mjeteve, stabilimenteve dhe pajisjeve teknike që janë të domosdoshme për realizimin e projektit sipas specifikimit teknik ne dosje te tenderit tek Aneksi 1 për pjesën I , pjesën 2 dhe pjesën 3. Dëshmia 7. Pajisjet të cilat regjistrohen duhet të dëshmohen me librezën e regjistrimit (pajisjet duhet te jene me afat te regjistrimit), ndërsa pajisje tjera, OE duhet ti dëshmoj me një dokument për pronësinë e pajisjeve (faturë, DUD etj).

Grupi i operatorëve ekonomik i rekomanduar për kontratë për Lot 2 nuk ka ofruar dëshmi siç është kërkuar në Fletën e të dhënave të tenderit pasi që kamionët 03-317-DQ, 03-425-EG, 03-467-EG, 03-211-FD, 03-465-DQ, 03-549-DN dhe 03-293-FD ka ofruar me aftë të skaduar të regjistrimit. Madje, sipas dëshmive që i posedon lajmi.net, një mjeti i kishte skaduar regjistrimi në ditën e hapjes së ofertave 15.05.2019.

Shkelje edhe në pjesën e tertë, shpërblehet oferta më e shtrenjtë për 548,387.40 euro

Kompania “Lika Trade” nga Deçani e rekomanduar për kontrate ka qenë më e shtrenjtë se oferta më e lirë për 548,387.40 euro. Lajmi.net ka gjetur se kompania nuk ka prezantuar listën e kontratave për 3 vitet e fundit siç është kërkuar në vlere prej 6,000,000.00 eurove. Po ashtu as listën e makinerisë nuk e ka prezantuar siç është kërkuar në dosjen e tenderit.

Sipas Fletës së të dhënave të tenderit tek kërkesat mbi mundësitë teknike dhe profesionale pika 7 është kërkuar: Lista e mjeteve, stabilimenteve dhe pajisjeve teknike që janë të domosdoshme për realizimin e projektit sipas specifikimit teknik ne dosje te tenderit tek Aneksi 1 për pjesën I , pjesën 2 dhe pjesën 3. Dëshmia 7. Pajisjet të cilat regjistrohen duhet të dëshmohen me librezën e regjistrimit (pajisjet duhet te jene me afat te regjistrimit), ndërsa pajisje tjera, OE duhet ti dëshmoj me një dokument për pronësinë e pajisjeve (faturë, DUD etj).

“Lika Trade” nuk ka ofruar dëshmi siç është kërkuar në Fletën e të dhënave të tenderit pasi që për pikën 2 të listës së pajisjeve ka prezantuar kamionin me targa 03-341-BI me CRA 0516891 i cili nuk është kiper, ku sipas fletës së të dhënave të tenderit është kërkuar kamion kiper 10 m³.

Komisioni i vlerësimit për këtë tender ka qenë i përbërë nga tre anëtarë të ministrisë, Jetmir Alaj, Zekrie Hadri dhe Gresa Xhemaili.

Rruga Dollc-Gjakovë në total ka gjatësi prej 31 kilometra dhe kosto e përgjithshme e saj është 57 milionë euro.

Ajo do të bëhet me katër korsi si dhe me infrastrukturën përcjellëse sipas standardeve të parapara për këtë kategori rrugësh.​