Televizioni gjerman ARD, reportazh me Toni-Blerët e Kosovës (Video)

E publikuar: 30/08/2015 22:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Televizioni publik i Gjermanisë, ARD, raporton në edicionin më të ri të Europamagazin për fëmijët kosovarë që janë emëruar pas luftës sipas ish-kryeministrit britanik, Toni Bler (Tony Blair).

Nga nëntë fëmijë që sot mbajnë emrin e Toni Blerit, televizioni gjerman portreton dy nga ta.

Bler Thaqi është 16 vjeçar dhe jeton me familjen e tij në Obiliq. Është nxënës i shkollës së mesme dhe talent i futbollit. Babai i ka vdekur para disa vitesh dhe ai me familjen jetojnë nga ndihma sociale, transmeton Telegrafi.

Bler Thaqi luan futboll në ekipin e seniorëve të KEK-ut në Ligën e Parë të Kosovës. Ëndërr e tij është të bëhet futbollist i famshëm dhe të luajë në arenën ndërkombëtare.

Nëna e tij ishte shtatzënë gjatë luftës në Kosovë, dhe burri i saj i kishte thënë që nëse lindte djalë do t’ia vinin emrin Bler, për nder të kryeministrit britanik që kishte bërë shumë për lirinë e Kosovës.

Toni Bler Muliqi është 14 vjeçar dhe jeton në fshatin Obri. Është fëmija më i vogël i familjes dhe i dashur për të gjithë. Po ashtu, Toni Bler Muliqi luan futboll për ekipin e Ferronikelit, në kategorinë e të rinjve, transmeton Telegrafi.

Axha i babait të tij, Isuf Muliqi, është kumbara i emrit të tij. Isufi që nga lufta në portofolin e tij mban një foto të përbashkët të Bill Clintonit dhe të Toni Blerit, me një shënim të vogël mbrapa ku thuhet: Këta dy njerëz na shpëtuan nga lufta e vitit 1999. Ëndërr edhe e Toni Bler Muliqit është të jetojë jashtë Kosovës, ku do të studionte dhe do të luante futboll.

Në vitin 2010, në qendër të Prishtinë, ish-kryeministri britanik i emocionuar kishte takuar të nëntë emnakët e tij shqiptarë.

Për më shumë, ndiqeni storjen e përgatitur nga ekipi ARD-së, me këtë përbërje: Reporter: Till Rueger; kamera: Sahit Kokolli; editimi: Christine Dériaz; producent: Besnik Hamiti.