Telefoni i ri i Vivo ka një kamër sekrete

E publikuar: 20/02/2019 14:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vivo V15 Pro ka një sekret: një kamër të motorizuar “pop-up” dhe është produkti më i fundit i kompanisë së njohur Kineze për dizajnet e saj inovative.

Kamerën e motorizuar Vivo e prezantoi për herë të parë me modelin Vivo Nex S, por V15 Pro do të ketë çmim më modest e me të sjell edhe teknologji më të avancuara.

Pse një kamër e motorizuar? Që Vivo V15 Pro të ketë një eksperiencë në ekran të plot pa asnjë “notch.” Ekrani 6.4-inç Super AMOLED mbulon 91.6% të pjesës ballore të telefonit. Kornizat anash ekranit janë vetëm 1.75mm në anësore dhe 2.2mm në krye.

Kamera shfaqet në cepin e djathtë lartë të telefonit dhe ka një sensor 32-megapiksel.

Në pjesën e pasme është një kamer me tre sensorë ku njëri ka madhësi prej 48-megapiksel. Ai shoqërohet nga një sensor 8-megapiksel me kënd të gjerë prej 120 gradë dhe 5-megapiksel për gjurmimin e thellësisë së imazheve.

Të dy kamerat vinë me inteligjencë artificiale e cila përmirëson fytyrën dhe trupin e njerëzve në foto së bashku me një modalitet për fotot në errësirë.

Bazuar në skenën që po realizohet fotoja, kamera tregon se kur një foto me kënd të gjerë do të ishte opsioni më i mirë.

Po hardueri i brendshëm? Telefoni i përket rangut të mesëm falë procesorit Snapdragon 675, 8GB RAM dhe 128GB memorie të brendshme.

Telefoni karikohet përmes portës MicroUSB. Ndërfaqja Funtouch OS 9 bazohet në Android 9.0 Pie.

V15 Pro ka një buton të dedikuar për Google Assistant, një sensor të shenjave të gishtërinjve nën ekran, teknologji të njohjes së fytyrës dhe Bluetooth 5.0. Peshon 185gram dhe është 8.21mm i hollë.

V15 Pro do të dalë në shitje në mbarë botën. /PCWorld Albanian