Telefonët inteligjentë po dëmtojnë shëndetin mendor

E publikuar: 05/12/2017 02:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rreth vitit 2012, në jetën e adoleshentëve diçka nisi të shkojë keq. Në vetëm pesë vjet, mes 2010 dhe 2015, numri i adoleshentëve amerikanë të cilët ndiheshin të padobishëm dhe jo të lumtur – simptomat klasike të depresionit – arriti në 33% – sipas një studimi kombëtar në shkallë të gjerë. Tentativat për vetëvrasje tek adoleshentët u rritën me 23%. Edhe më shqetësuese është se numri i vetëvrasjeve mes të rinjve të moshave 13-18 vjeç arriti në 33%.

Në një artikull të ri të publikuar në Clinical Psychological Science, studiuesit arritën në përfundimin se rritja rasteve me depresion dhe përpjekjet për të vrarë veten dhe vetëvrasjet ishin të pranishme tek adoleshentët e të gjitha shtresave – nga ata më të privilegjuar tek ata më pak të privilegjuar, tek të gjitha racat dhe etnitë në çdo vend të botës. Si përfundim, gjenerata e adoleshentëve të sotëm (studiuesit i quajnë “iGen” – ata që kanë lindur pas vitit 1995) është më e predispozuar të shfaqë probleme që lidhen me shëndetin mendor në krahasim me të rinjtë e së njëjtës moshë të mijëvjeçarëve të mëparshëm.

Çfarë ka ndodhur që gjithnjë e më shumë adoleshentë, në një periudhë kaq të shkurtër kohe – janë në depresion, tentojnë t’i japin fund jetës dhe vetëvriten? Pas zhvillimit të disa studimeve në shkallë të gjerë tek adoleshentët, të gjitha të dhënat të çonin tek një ndryshim i madh në jetën e adoleshentëve: rritja e përdorimit të smartphone-ve.

Të gjitha shenjat i referohen smartphone

Për faktin se vitet 2010 – 2015 u karakterizuan nga rritja ekonomike e qëndrueshme dhe rënia e papunësisë, është e pamundur që gjendja e keqe ekonomike të jetë një faktor. Pabarazia e pagave ishte (dhe vazhdon të jetë) një problem, por nuk u shfaq papritur në fillim të vitit 2010 – hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është në rritje prej dekadash. Po ashtu u zbulua se koha e kaluar nga të rinjtë për të kryer detyrat e shkollës nuk ka ndryshuar shumë nga 2010 deri në 2015, duke e përjashtuar këtë nga shkaqet e depresionit.
Megjithatë, sipas Pew Research Center, numri i adoleshentëve që zotëronin një smartphone e kaloi shifrën e 50% në fund të vitit 2012, pikërisht atëherë kur nisi të rritej numri i adoleshentëve me depresion dhe ai i vetëvrasjeve. Në vitin 2015, 73% e adoleshentëve kishin mundësi të përdornin një smartphone.

Jo vetëm numri i rasteve me depresion dhe ai i vetëvrasjeve u rritën, por koha e shpenzuar online është e lidhur me problemet në shëndetin mendor në dy tipologji të ndryshme. Studiuesit gjetën se adoleshentët që kalonin pesë ose më shumë orë në ditë online ishin 71% më të predispozuar se sa ata që shpenzonin vetëm një orë, për t’u prekur të paktën nga një faktor i rrezikut të vetëvrasjes (depresion, mendimi rreth vetëvrasjes, bërja e një plani për vetëvrasje apo tentativa për t’i dhënë fund jetës). Në përgjithësi, faktorët e rrezikut të vetëvrasjes rriten në mënyrë të ndjeshme pas shpenzimit të dy ose më shumë orë në ditë online.
Sigurisht është e mundur që jo vetëm koha e kaluar në internet (online) të çojë në depresion, por edhe depresioni vetë të çojë në një numër më të madh orësh online. Por tre studime të tjera tregojnë se kjo është vështirë të ndodhë (të paktën nëse shihet nga përdorimi i rrjeteve sociale).

Dy studime gjetën se përdorimi për një kohë të gjatë i rrjeteve sociale ju bën të palumtur, ndërsa të mos qenët i lumtur nuk shkakton përdorimin për një kohë të gjatë të rrjeteve sociale.
Në një rast të tretë, pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe: një grupi iu kërkua të hiqnin dorë nga Facebook-u për një javë, ndërsa grupit tjetër të vazhdonin përdorimin e tij normalisht.
Ata që shmangën përdorimin e Facebook-ut thanë se ndiheshin më pak të depresionuar në fund të javës.
Argumenti se depresioni mund t’i bëjë njerëzit të kalojnë më shumë kohë online nuk e shpjegon faktin se pse depresioni u rrit kaq papritur pas vitit 2012. Sipas këtij skenari, shumë adoleshentë filluan të preken nga depresioni për arsye jo të qarta dhe më pas filluan të blejnë smartphone, nuk duket shumë logjik.

Çfarë humbim kur nuk jemi online

Edhe pse koha online nuk e dëmton direkt shëndetin mendor, megjithatë mund të ndikojë negativisht në mënyra indirekte, veçanërisht nëse qëndrimi online u merr kohë aktiviteteve të tjera.
Gjatë studimit u gjet se adoleshentët kalonin shumë më pak kohë me miq ballë për ballë. Ndërveprimi me njerëzit ballë për ballë është burim për lumturinë – pa të, gjendja shpirtërore përkeqësohet dhe shpesh pasohet me depresion. Izolimi social është një nga faktorët kryesorë për rrezikun e vetëvrasjes. Studimi gjeti se adoleshentët që kalonin më shumë kohë se mesatarja online dhe më pak kohë se mesatarja me miq kishin më shumë gjasa të binin në depresion. Nga viti 2012, kjo gjë ka ndodhur në masë: adoleshentët u kanë kushtuar më pak kohë aktiviteteve që ndikojnë në mirëqenien mendore (ndërveprim ballë për ballë) dhe më shumë kohë aktiviteteve online.

Sot gjithashtu adoleshentët po flenë më pak dhe adoleshentët që shpenzojnë më shumë kohë me telefonat e tyre kanë më shumë gjasa të mos flenë mjaftueshëm. Më pak orë gjumi çojnë në një rrezik më të madh ndaj depresionit, pra nëse smartphone shkaktojnë më pak orë gjumi, kjo mund të shpjegojë se pse depresioni dhe vetëvrasjet janë rritur papritur.
Depresioni dhe vetëvrasjet kanë shumë shkaqe – predispozita gjenetike, mjedisi familjar, bullizmi dhe trauma mund të kenë një rol. Disa adoleshentë do të kenë probleme me shëndetin pavarësisht kohës se kur jetojnë.

Mund të thuhet se është shumë shpejt për të këshilluar më pak kohë para ekranit, duke qenë se studimi nuk ka përfunduar. Megjithatë reduktimi i kohës para ekranit – për shembull në dy orë në ditë ose më pak – është minimal. Në anën tjetër – rreziku i të mos bërit asgjë, duke parë pasojat si depresioni dhe vetëvrasja – është i madh. Nuk është shumë shpejt për të menduar për reduktimin e kohës para ekraneve (online) – le të shpresojmë që nuk është shumë vonë. /Monitor