Telefonat e rinj të Microsoft do të kushtojnë më shtrenjtë se iPhone 6

E publikuar: 13/07/2015 22:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot ju njoftuam se Microsoft po punon për krijimin e gjashtë pajisjeve të reja Lumia, që do të prezantohen gjatë këtij viti. Ky lajm është bërë i ditur nga llogaria e famshme në Twitter, @evleaks. Dy nga këto pajisje do të jenë Microsoft Lumia 940 dhe 940 XL, të cilat kanë qenë subjekt i thashethemeve dhe spekulimeve të fundit. Këta telefona inteligjentë thuhet se do të kushtojnë më shumë se Galaxy S6 apo iPhone 6.

Ndryshe nga ato që ofrojnë Samsung dhe Apple, të dy telefonat inteligjentë të Microsoft-it do të krijohen me polikarbonat. Kjo duket pak e çuditshme, duke qenë se pjesa më e madhe e telefonave inteligjentë të cilësisë së lartë që janë krijuar deri tani kanë kasa prej metali, që është më i kushtueshëm se polikarbonati.

Sa i përket specifikave, thuhet se Lumia 940 do të fuqizohet nga procesori Snapdragon 808 SoC dhe do të përmbajë ekran 5.2 inç full HD (1920 × 1080 pikselë). Ai do të vijë me 3GB RAM dhe 32GB hapësirë të brendshme, e cila mund të zgjerohet nëpërmjet kartës microSD. Sa i përket kamerës, pajisja do të ketë kamerë kryesore 20 megapikselë dhe kamerë dytësore 5 megapikselë. Ai do të ketë edhe një skaner për sytë.

Ndërsa Lumia 940XL thuhet se do të fuqizohet nga procesori Snapdragon 810 dhe do të ketë ekran 5.7 inç me rezolucion Quad HD (2560 × 1440 pikselë). Veçoritë e tjera thuhet se do të jenë të njëjta me ato të Lumia 940, duke përfshirë këtu edhe skanerin e syrit. Të dyja pajisjet priten të prezantohen në nëntor të këtij viti.