Tejkalime buxheti e vonesa në realizimin e projekteve në MAP dhe MKRS

E publikuar: 01/08/2017 07:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Probleme me përcaktimin e nevojave të përdoruesit dhe ekzaminimin e kushteve fizike të lokacioneve, vështirësi lidhur me financimin e projekteve dhe sigurimin nëse specifikimet teknike përputhen plotësisht me realitetin, ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në shqyrtimin që i ka bërë planifikimit për kontratat e ndërtimit në Ministrinë e Administratës Publike (MAP) dhe në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Si rezultat i kësaj thuhet se projektet e ndërtimit shpien në tejkalim të kostos dhe tejkalim të afateve kohore, shkruan sot “Koha Ditore”.

ZKA-ja ka vlerësuar se punimet e ndërtimit shpesh përballen me vonesa. Sipas ZKA-së data e planifikuar dhe data aktuale e zbatimit në disa raste janë me vite larg njëra tjetrës.

“Disa kontratave u duhen vite për t’u zbatuar, derisa zbatimi i projekteve me përmasa të ngjashme nuk duhet të zgjasë shumë”, thuhet në raportin e publikuar këtë muaj. Kjo thuhet se ka gjasa të ketë pasoja negative ekonomike dhe të tjera.

“Sipas ekspertëve të fushës ndërtimore, shumica e problemeve të tilla shkaktohen nga planifikimi i dobët: nevojat nuk përcaktohen qartë, nuk sigurohen fonde të mjaftueshme, ekzaminimi i kushteve fizike nuk është bërë siç duhet, etj”, theksohet në raport. Si rezultat, thuhet se duhet të bëhen ndryshime në kontratë, të kërkohen fonde shtesë dhe zbatimi i kontratës të zgjatet.