Të vrarë e të plagosur në kufirin ndërmjet Gazës dhe Izraelit

E publikuar: 14/05/2018 13:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri e Shëndetësisë në Gaza, tha se forcat izraelite vranë 16 palestinezë përgjatë kufirit me rripin e Gazës, ku mijëra veta janë hedhur në protesta derisa Shtetet e Bashkuara po përgatiten që zyrtarisht të zhvendosin ambasadën e tyre nga Tel Avivi në Jerusalem.

Zyrtarët thanë se të paktën 500 veta janë plagosur, përfshirë edhe një duzinë të qëlluar me armë zjarri. Vrasjet e së hënës e çojnë në mbi 50 numrin e të vrarëve gjatë protestave gjashtëjavëshe.

Kritikët fajësuan forcat izraelite për përdorimin e municioneve, ndërsa Izraeli tha se veprimet e tij ishin të domosdoshme për shkaqe sigurie, meqë protestuesit rrezikuan kufirin.

Forcat izraelite të sigurisë hodhën edhe gaz lotsjellës mbi protestuesit, por turmat dukeshin të palëkundura dhe vazhduan të mblidhen.

Protestuesit hodhën edhe objekte të ndryshme përtej kufirit dhe dogjën goma para hapjes së ambasadës më vonë gjatë ditës. Shumë biznese dhe shkolla në Gaza u mbyllën.

Përveç refuzimit të lëvizjes së ambasadës amerikane, palestinezët po protestojnë edhe në shënim të përvjetorit që ata e quajnë “nakba” apo “katastrofa”, duke ju referuar qindra mijëra palestinezëve që u dëbuan apo ikën përgjatë luftimeve të vitit 1948 gjatë krijimit të Izraelit.

Vendosja e ambasadës amerikane në Jeruzalem është miratuar me votim dypartiak në Kongresin amerikan që në vitin 1995. Deri më tani, të gjithë presidentët e mëparshëm amerikanë patën nënshkruar çdo gjashtë muaj një shtyrje të zbatimit të këtij vendimi, për arsye sigurie.