Të presësh kërkim-falje nga vrasësi

E publikuar: 27/04/2016 20:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Ballsor Hoxha

Çka do të thonë fitoret e po të njëjtëve liderë të masakrave më të mëdha bashkëkohore, nga po i njëjti popull serb? Sigurisht se është po i njëjti mentalitet brenda po të njëjtës shoqëri dhe se duan të ruajnë po të njëjtën gjendje. Por pse?

Kur sot pas 17 viteve lirohet pengu i luftës, përpos që tregon një kuriozitet për popullin serb si të pashpirtë dhe sociopat ( të pandjenjë ndaj tjetrit), kjo tregon edhe pamundësinë e evitimit të përballjes me realitetin, kushdo që je: vrasës, dhunues apo masakrues.

Çka në duhet ne kërkim falja e Daqiqit? Çka është ajo përpos një formalitet i cili në të vërtetë e zhvleftëson atë që në të vërtetë duhet të bëjë populli serb. Kërkim falja prej Daqiqit do të ishte vetëm edhe një poshtërim i radhës së shqiptarëve nga po i njëjti, vetëm pse bëhet nga po i njëjti, vetëm pse po të njëjtit kanë vrarë , dhunuar e masakruar dhe pastaj zgjidhen prapë si liderë.

Në një libër të botuar nga një prej fondeve për ndihmë ish-ushtarëve (vrasësve) serbë, me titull “Gde si bio sine moj” (Ku ke qenë kështu djali im), përshkruhet në detaje procesi i terapeutizimit të vrasësve të Millosheviqit dhe të Sheshelit, pas përfundimit të luftërave të ish Jugosllavisë. Është libër i cili merret me njerëz që e kanë kaluar kufirin e njerëzores, kanë vrarë, masakruar, dhe dhunuar, dhe që tani janë përballë realitetit. Ajo që përshkruhet këtu është tragjedia e këtyre vrasësve, në të kuptuarit se kanë qenë piunë të liderëve dhe të popullit serbë. Rruga, procesi, dhe forca që duhet për të përballur realitetin si vrasës e masakrues e dhunues, nuk janë të lehta, nuk është e lehtë një herë të dhunosh dhe masakrosh e pastaj të kthehesh në njeri “normal”.

Pse të kërkohet kërkim falja e serbëve ndaj shqiptarëve? A duhet në të vërtetë të kërkohet ajo?

Mund të thuhet që i kemi vënë kusht Serbisë, ndoshta shumë më shumë kusht të brendshëm dhe moral se sa politik apo ndërshtetëror, sidomos kur dihet se jemi në negociata me -serbët- për një kohë të gjatë tanimë; mund të thuhet se kjo është hapi i parë drejt normalizimit sociologjik të gjërave; dhe mund të thuhet se jemi të varur nga kërkim falja e tyre në raport me pjesën tjetër të botës. Por asnjëra nuk janë më ndër-varësuese për ne se sa vetë kërkesa, kërkesa për kërkim falje nga ata.

Në përvojën njerëzore, shumë më vështirë është të kërkohet falja se sa të jepet falja.

Për serbin i cili, prej së “kthjellëti” ka vrarë shqiptarë, i ka masakruar ata dhe krejt në fund edhe i ka mbajtur peng për 17 vite, sigurisht që gjëja më e vështirë në botë është kërkimi i faljes. Kërkimi i faljes nuk është proces që kryhet aty për aty, qoftë edhe në kontekstet kur personi apo shoqëria ka presion të përditshëm për këtë, kjo nuk është lehë e arritshme. Procesi është i gjatë, jo pse serbët janë special, apo pse a kanë fituar këtë të drejtë, apo pse ne jemi “tepër” të dobët dhe pranojmë çdo gjë.

Vrasësi, masakruesi dhe në fund edhe pengmbajtësi 17 vjeçar, kanë një proces të gjatë para vetes. Së pari duhet pranuar se kanë qenë vrasës të parës dorë. Pastaj duhet pranuar se kanë masakruar. Pastaj duhet pranuar se kanë penguar paqen, jo vetëm të shqiptarëve, por dhe të vetë serbëve.

Pastaj po i njëjti proces duhet kuptuar në kontekst të popullit dhe shoqërisë që i takon: duhet kuptuar se i tërë populli prej nga vjen vrasësi i caktuar ka qenë popull vrasës kolektiv, për një kohë të caktuar, jo vetëm ndaj një populli tjetër, por ndaj të gjithë atyre përreth. Pastaj duhet kuptuar se po i njëjti popull i ka detyruar po të njëjtit vrasës që të vrasin në emër të tyre; dhe krejt në fund duhet pranuar se vetëm po këta vrasës do të akuzohen, gjykohen dhe ndoshta dhe dënohen.

Nuk ka gjë më të vështirë se të pranosh se je vrasës. Apo ndoshta të pranosh se je masakrues i foshnjave, dhunues i grave dhe edhe burrave. Kërkim falja, në fund të fundit, është njëlloj rrugëdalje e tyre prej këtij ferri.

Megjithëse rrugëdalje, kjo kërkim falje kërkon, apo çdo kërkim falje nga serbët është kërkim falje i një populli të tërë. Dhe kjo nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë sepse po e njëjta kërkim falje duhet të vetëdijësoj edhe fëmijët që nuk kanë ditur asgjë, se brenda shoqërisë së tyre, ka pasur vrasës që kanë dhunuar e masakruar njerëz të pafajshëm

Pra nëse kërkim falja është e vetmja rrugëdalje e tyre, ajo duhet të bëhet si proces, dhe të kaluarit nëpër këtë proces kërkon gjenerata të kësaj shoqërie. Dhe ne, vetëm të këtillë mund ta pranojmë, dhe duhet ta pranojmë.

Pikërisht për këtë arsye prapë janë zgjedhur po të njëjtit liderë, janë zgjedhur po të njëjtit udhëheqës sikur që ishin në Serbinë e luftërave. Sepse shoqëria serbe ende nuk është në gjendje që të pranoj veten si vrasëse, dhe kjo nuk është aq e lehtë kur të qenit vrasës flet për njeri dhe shoqëri të devijuar./gazetablic/