Të prekurit me koronavirus nga Miradia e Ulët janë në gjendje të mirë shëndetësore

E publikuar: 02/04/2020 14:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy të prekurit me koronavirus nga fshati Miradi e Ulët të Fushë Kosovës janë në gjendje shëndetësore të mirë, njofton Klan Kosova.

Këtë e bëri të ditur Kryetari i Komunës dhe i Shtabit të Krizës Emergjente të Fushë Kosovës, Burim Berisha. Ai në njoftimin e tij për media falënderoi familjarët e të prekurve dhe qytetarët e fshatit Miradi e Ulët për mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe maturin e treguar gjatë këtyre ditëve.

“Njëherësh njoftojë se gjendja e të prekurve është shumë e mirë dhe ata janë në përkujdesje të vazhdueshme”.

“Gjithashtu falënderojmë edhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, të cilët pas reagimit publik që kemi pasur, kanë vendosur një bashkëpunim ndërinstitucional shumë korrekt dhe profesional. Shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen si mënyra më e mirë e menaxhimit të kësaj situate, duke u vënë në shërbim të vazhdueshëm të secilit qytetar që ka nevojë për çfarëdo ndihme”.

“Më këtë rast, Shtabi Emergjent në Fushë Kosovë falënderon për përkushtimin dhe kujdesin e treguar deri tani, qytetarët, stafin mjekësor, policinë, punëtorët e Ndërmarrjes Pastrimi, të Ujësjellësit Batllava, marketet dhe gjithë ata që janë 24 orë në shërbim që qytetarët ta kenë më të lehtë përballimin e kësaj situate”.

“Po merren të gjitha masat që kjo gjendje të kalohet sa më shpejt dhe sa më lehtë. Duke u falënderuar njëherësh lusim qytetarët, të vazhdojnë edhe mëtej me këtë përkushtim të respektoni rekomandimet e institucioneve dhe të përmbaheni, për të mos dalur jashtë shtëpisë. Duke qëndruar në shtëpi, mbroni veten dhe familjen”, ka thënë Shala.