Të prekur me coronavirus në Pejë janë gjashtë persona

E publikuar: 06/04/2020 08:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova vazhdon të përballet me pandeminë e coronavirusit sikurse të gjitha vendet e tjera të botës.

Deri më tani në komunën e Pejës janë konfirmuar gjashtë raste me Covid-19.

Zëdhënësi i komunës së Pejës, Elgelbert Zefaj në një lidhje direket për Zyrën e Ankesave në RTV Dukagjini, ka thënë se të gjitha rastet janë raste kontakti të personit të parë të infektuar me coronavirus.

“Për momentin janë 6 të konfirmuar me coronavirus në Pejë, janë persona kontakti të rastit të parë. 5 persona janë nga fshati Llugagji dhe një në qytet. Fshati Llugagji është në karantinë, familja në Pejë ka qenë e izoluar”, ka thënë Zefaj, transmeton Telegrafi.

Zefaj ka shtuar se pavarësisht gjashtë rasteve, për momentin nuk ka asnjë të dyshuar.

“Prej qendrës kryesore të mjekësisë familjare raportohet gjendje e qetë. Dje kemi pasur një ardhje nga Sllovenia nga pika kufitare me Malin e Zi, janë kontrolluar të gjithë dhe ata janë përcjellur për në karantinë në Prishtinë”, ka thënë Zefaj.

Deri më tash në vendin tonë numri i të prekurve me Covid-19 ka shkuar në 145, ndërkaq 23 të tjerë janë shëruar kurse vetëm një person ka humbur jetën.