Të pagjeturit, këtë vit pritet gërmimi edhe i 5 lokacioneve të tjera

E publikuar: 30/10/2019 15:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qendra Burimore për Persona të Zhdukur sot ka mbajtur një sesion informues me familjarët e të zhdukurve për të njoftuar rreth ecurisë së këtij procesi. Nga aty u bë e ditur se deri në fund të vitit do të gërmohen edhe pesë lokacione të reja.

Kryetari i shoqatës “Zëri Prindërve” dhe njëherit udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini kërkoi të dijë se çka po ndodh me mbetjet mortore që janë në Institutin Mjekësor Ligjor.

Ai kërkoi sqarime se përse këto mbetje nuk po u dorëzohen familjarëve.

“Gjithmonë flitet çka është duke u bërë me Institutin e Mjekësisë Ligjore i cili ka mbetje mortore dhe nuk u dorëzohet familjeve. Kemi informata se ka mbetje mortore shumë, por ka edhe trupa shumë, nuk po u dorëzohen familjarëve nxirren trupa nuk ka informata këtë informatë sot e duam”, tha Çerkini.

Përgjigjen e kërkuar e mori nga drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu i cili tha se mbi 300 mbetje mortore që ndodhen në Institutin e Mjekësisë Ligjore nuk i takojnë luftës së fundit.

“Sa i përket mbetje mortore në Institutin e Mjekësisë Ligjore aty janë rreth 300 mbetje mortore por të cilat nuk paraqesin individët në fjalë, është duke u bërë ndarja apo inventarizimi i të gjitha rasteve të cilat nuk janë të lidhura luftën e fundit, sepse gjatë kësaj periudhe janë gjetur edhe raste të vjetra gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Parë Botërore të cilat ne i quajmë raste të vjetra që kanë qenë si rezultat i punishteve në terren…Këto raste nuk ndërlidhen me dhënësit e gjakut të familjeve që i ka edhe ICMP ”, tha ai.

Gërxhaliu tutje ka njoftuar rreth punës së bërë nga Instituti për periudhën janar-shtator 2019 ku tha se në 27 lokacione sa është gërmuar nuk ka pasur ndonjë gjetje.

“Në nëntë muajt e parë janar-shtator Instituti i Mjekësisë Ligjore i ka kryer 27 punime do thotë zhvarrime në fushë, prej të cilave 25 janë kryer në Kosovë dhe 2 janë kryer në Serbi…. Pothuajse të gjitha vendet e kontrolluara me detektorin e nëntokës nuk kanë rezultuar me ndonjë gjetje. Gjatë këtyre operacioneve të realizuara së bashku me ekspertët e EULEX-it janë gjetur 13 trupa ku njërit trupit i është marr vetëm mostra sa për riidentifikim apo vërtetësimin e identifikimit, gjithashtu janë pranuar mbi 20 rezultate pozitive nga ICMP…dhe këto rezultate kanë dal me 13 identifikime të reja si dhe 7 ribashkime të pjesëve të trupave të cilët janë varrosur. Kjo çështja e ribashkimeve e cila është problematik apo shqetësim për familjarët përsërit dëshiroj t’i njoftoj se të njëjta do jenë në vazhdimësi”, u shpreh mjeku ligjor.

Kurse, mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka tha se vetëm në vitin e fundit janë bërë mbi 20 gërmime rezultatet e të cilave janë të vogla.

Lluka derisa paralajmëroi edhe 5 gërmime të tjera deri në fund të këtij viti tha se Beogradi po vazhdon ta politizojë çështjen e personave të zhdukur.

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj kërkoi angazhim më të madh në zbardhjen e fatit të të pagjeturve pasi sipas tij vetëm kështu do të mund të ndihen më të qetë familjarët.

“Në këtë vit përveç lokacioneve në Kosovë i kemi edhe dy lokacione në Serbi duhet të themi se nuk jemi të kënaqur aspak, lokacionet në Serbi janë nga pak problematike… Kemi edhe lokacione të tjera kërkesa tjera për në Serbi po shpresoj që edhe Komisioni i Serbisë së bashku me prokurorinë serbe do e marrin parasysh dhe në disa lokacione do të fillojmë të gërmohet. Deri në fund të vitit mund të them se do i kemi edhe pesë lokacione nëse na premton koha”, u shpreh Lluka.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj u shpreh se Kosova në këtë situatë është shumë më mirë se të gjitha shtetet e rajonit, por që ende duhet të vazhdohet të punohet deri në zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve.

Sipas tij, mungesa e informacioneve të besueshme po sjell edhe mos efikasitet.

“Mungesa e informacioneve të besueshme është edhe mungesë e madhe e mos efikasitetit tonë, prandaj lusim dhe kërkojmë prej familjarëve vazhdimisht që të interesohen në lokacionet dhe në hapësira aty ku jetojnë çdo informatë pa marrë parasysh a është e besueshme apo e pabesueshme mos të injorohet”, u shpreh Gjetaj,transmeton Lajmi.net.

Kujtojmë që nga lufta e fundit në Kosovë ende nuk dihet për fatin e 1650 personave.