Të martën mbahet seanca gjyqësore për portierin e Partizanit, Alban Hoxha

E publikuar: 27/11/2018 02:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është shtyrë për nesër (e martë) në orën 10:00 seanca gjyqësore për dhënien e masës së sigurisë për portierin e Partizanit dhe kombëtares shqiptare, Alban Hoxha.

Ai u arrestua dy ditë më parë nga Policia e Tiranës, ndërkohë që në organizmin e tij kishte sasi të alkoolit më shumë se norma e lejuar.

Futbollisti i klubit kryeqytetas u kap teksa drejtonte mjetin e tij në gjendje të dehur dhe kishte kaluar masën e alkoolit prej 0.51 mg/l, transmeton TCH.

Ky ishte një lajm aspak i mirë për Partizanin vetëm pak ditë para derbit ndaj Tiranës.

Të premten (30 nëntor), Partizani është nikoqir i Tiranës për derbin e xhiros së 15-të në Superligën e Shqipërisë në futboll.


Njoftimi i Policisë shqiptare lidhur me arrestimin e Alban Hoxhës:

Policia Rrugore arreston në flagrancë tre shtetas për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Nga shërbimet e Policisë Rrugore u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– D. A., 25, vjeç banues në Tiranë, pasi në rrugën “Isuf Elezi”, u kap nga shërbimet e policisë rrugore duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin.

– L. L., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën e “Kavajës”, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin.

– A. H., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën e “George W Bush”, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin.

Materialet në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.