Të gjithë në pritje të Kryeministrit Mustafa. Çfarë do të thotë për Ushtrinë?

E publikuar: 08/03/2017 23:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Teksa të gjithë po shprehin qëndrimet e tyre për projektligjin e iniciuar nga presidenti Hashim Thaçi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovë, dikush po hesht. Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ende nuk është deklaruar rreth planit të të parit të Kosovës, për ta bërë vendin me Ushtri – ndryshe nga partiakët e tij. Të gjithë po presin se çfarë do të thotë shefi i Qeverisë.
Presidenti Hashim Thaçi edhe njëherë është treguar i bindur se transformimi i FSK’së është çështje e kryer. Ai në një konferencë për media gjatë ditës së sotme ka thënë se krijimin e Ushtrisë nuk mund ta ndalë askush.

Madje, ai ka thënë se punën e vet e ka përfunduar, dhe se tash këtë çështje duhet ta përfundojë Qeveria dhe Kuvendi.

“Unë jam i bindur se edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht kryeministri Mustafa do ta trajtojë draft-ligjin për FSK-në me prioritet të lartë dhe shumë shpejt do ta japë edhe zyrtarisht mendimin e vet pozitiv në mbështetje të tij”, ka thënë Thaçi sot.

Por, edhe pse kanë kaluar shumë orë nga ky deklarim i të parit të vendit, shefi i Qeverisë nuk ka thënë asnjë fjalë. Deri tash është i vetmi që ka heshtur.

Por, kështu nuk kanë vepruar edhe disa zyrtarë të partisë së Isa Mustafës dhe deputetë të LDK’së.

Deputetja Vjosa Osmani ka thënë se Hashim Thaçi nuk është konsultuar me LDK’në për të krijuar ushtrinë.

“As nuk është koordinuar më LDK-në që është duke e udhëhequr bashkë Qeverinë. Qasje bajraktarizmi që shumë mirë e dimë si është duke përfunduar”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se është koha e duhur që partitë të bashkohen dhe të formojnë FSK’në.

“Është momenti i duhur dhe koha fundit kur të gjitha partitë politike dhe Kuvendi të bashkohen për ta fuqizuar FSK’në. Definitivisht LDK do ta mbështesë, dhe është koha e fundit qe Forcat e Armatosura të Kosovës më i marrë atributet e ushtrisë”, ka thënë nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri.

E një irnonizim për mosdeklarimin e kryeministrit e ka bërë kryetari i degës së AAK’së në Prishtinë, Avni Arifi. Ai ka thënë se është duke pritur reagimin e kryeministrit pas deklaratave të Ambasadës së Amerikës në vend dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, në lidhje me formimin e Ushtrisë.

Arifi ka ironizuar me kryeministrin, duke thënë se ai do të reagojë pas lojës së Barcelonës.

“Po duket se pa e marrë vesh çka po bon Barcelona sonte , Isa nuk e ka nmend me fol!!! 4:0 thotë është shumë por npolitikë nuk i dihet. Prit prit Isë çka po bohet e tani flet. Pse me rreziku tash?”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook. /Express/