Të gjithë mjekët sot në grevë

E publikuar: 26/12/2018 08:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Personeli mjekësor në Kosovë sot do të hyjë në grevë 24-orëshe, duke kundërshtuar kështu mosplotësimin e kërkesës së tyre për rritjen e pagave në shëndetësi. Nëse deri në fillim të vitit 2019 ata nuk marrin ndonjë përgjigje pozitive për rritjen e pagave, gjatë muajin tjetër paralajmërojnë masa edhe më radikale e deri te bojkotimi i punës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Të gjitha institucionet publike shëndetësore në Kosovë, që nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), spitalet rajonale dhe qendrat e mjekësisë familjare, sot hyjnë në grevë 24-orëshe.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

Ai ka thënë për “Zërin” se kjo grevë po mbahet për shkak të mosmiratimit të Ligjit mbi Pagat. “Sot në nivel nacional do të mbahet grevë e përgjithshme 24-orëshe, e cila është paralajmëruese për kalimin e Projektligjit për Paga në lexim të dytë me amendamentet që kemi dhënë ne. Sot në nivel parësor në të gjithë Kosovën do të mbahet greva, qendrat e mjekësisë familjare, spitalet rajonale, QKUK-ja, të gjitha këto do të hyjnë në grevë”, ka thënë ai.