Të gjithë lojtarët në dispozicion të De Biasit

E publikuar: 22/03/2016 22:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në ditën e dytë të stërvitjes së kombëtares, trajneri Gianni De Biasi pati në dispozicion të gjithë futbollistët, përfshi dhe Andi Lilajn, Ledian Memushajn, Amir Abrashin dhe Shkëlzen Gashin, me tre të parët që u stërvitën vecmas nga grupi. Duke qenë se ndeshja me Austrinë, nuk është një miqësore e thjeshtë, për faktin se do të testohet skuadra që do të luajë në Europian dhe De Biasi në stërvitjen e pasdites i kushtoi një rëndësi të vecantë dhe aspektit tekniko taktik.

Pas disa minutave në kontakt me topin, skuadra u nda në dy pjesë, ku pjesa sulmuese e ekipit u mor përsipër nga Erjon Bogdani dhe reparti i mbrojtjes bashkë me portierët u vënë nën urdhrat e Tramezzanit, me De Biasin që vështronte gjithcka me kujdes nga sipër. Trajneri e përqëndroi stërvitjen e tij duke ndarë skuadrën në kuadrate, por duke i kushtuar dhe një rëndësi të vecantë lojës nga krahët apo mbulimeve në zonë, ndërsa pranë tij gjatë gjithë kohës ishin dhe trajnerët shqiptarë që po ndiqnin kursin e UEFA-s, të cilët u përpoqën të përfitonin përvojë nga stërvitja e italianit. Gjatë seancës nuk pati probleme fizike me lojtarët, me të gjithë grupin që duket se do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë në Vjenë ndaj Austrisë më 26 mars.