Të gjitha taksive në Mitrovicë u ndalohet përkohësisht puna

E publikuar: 16/03/2020 11:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në bazë të situatës së krijuar nga rritja e numrit të rasteve të infektuara me virusin COVID-19, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, dhe nënkryetari Faruk Mujka, sot kanë pritur në takim pronarët e kompanive të taksive që operojnë në qytetin e Mitrovicës.

Në këtë takim kryetari Bahtiri ka kërkuar nga të gjitha kompanitë e taksive që veprojnë në Mitrovicë të ndërprenë punën e tyre përkohësisht, kjo pasi që ky sektor paraqet rrezikshmëri tek punëtorët dhe qytetarët në përhapjen e këtij virusi.

“Duke u bazuar në këshillat e mjekëve profesionistë dhe në rekomandimet e IKSHP-së, ku kërkohet që distanca në mes njerëzve të jetë së paku 1 metër, dhe nëse marrim parasysh hapësirën e automjeteve të taksive të cilat kanë 5 ulëse për pasagjerë, kjo rezulton me faktin se hapësira është shumë e ngushtë, andaj e shoh të arsyeshme që të pezulloni përkohësisht punën tuaj në mënyrë që të mos ketë rrezik në shëndetin e punëtorëve tuaj, dhe të qytetarëve të cilët e shfrytëzojnë këtë shërbim”, tha kryetari Bahtiri.

Në njoftim thuhet se vendimin e kryetarit Bahtiri për ndalimin e përkohshëm të punës së taksive, e përkrahën unanimisht të gjithë pronarët e kompanive të taksive.

Bahtiri kërkoni nga Policia e Kosovës që këtë vendim të zbatoj edhe në kufijtë administrativ të Komunës së Mitrovicës, dhe të mos lejoj asnjë taksi nga komunat tjera regjionale të veprojnë në Mitrovicë.