Të gjitha ngjarjet që ndodhën sot në veri të Kosovës

E publikuar: 27/11/2018 19:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mëngjesin e nisën me dorëheqje katër kryetarët serbë të komunave veriore: Goran Rakiq, Stevan Vuloviq, Vuçina Jankoviq e Zoran Todiq, raporton KTV.

Ky vendim është protestë ndaj Kosovës për taksën 100 për qind që shteti e vendosi ndaj produkteve serbe e arrestimeve të të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Arsyet e dorëheqjeve, Rakiq ua kumtoi protestuesve që ishin mbledhur para selisë së EULEX-it në veri të Mitrovicës.

Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrimet ‘Kemi të drejtë në bukë’, ‘Nuk kemi ilaçe’ e të tjera.

Rakiqi u tha serbëve aty se Prishtina zyrtare po ua pamundëson një jetë normale popullit serb të Kosovës.

“Ne kryetarët kemi marrë vendim, përkatësisht kemi dhënë dorëheqje, që do të thotë se administrata e pushtetit lokal sipas sistemit të Prishtinës, në veri nuk ekziston më. Kjo, jo për shkak që ne duam, por për shkak të veprimeve nga të cilat pamundësohet një jetë normale për popullin serb në Kosovë. Taksat e vendosura do të thotë që fëmijët tonë mos të kenë nesër kushte themelore për jetë, nuk do të kenë ushqim, bukë dhe ujë. Përveç taksave, tubimi ynë sot këtu ka të bëjë edhe me ndërhyrjen brutale të ROSU-së në veri”, tha Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës veriore .

Rakiqi ka vazhduar me akuza ndaj Bashkësisë ndërkombëtare që sipas tij, po hesht para të gjitha këtyre.

Rakiqi ka hedhur akuza edhe ndaj institucioneve të Kosovës që tha se kanë dashur të vrasin nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Ai e quajti vëlla Radojiqiqin e kërkuar nga policia për gisht në vrasjen e Ivanoviqit.

Ndërkaq, Millan Ivanoviqi i ka quajtur protestuesit simbol të rezistencës, luftës për liri e qëndresës për shtetin e Serbisë.

“Unë nuk do të jap dorëheqje, sepse unë jam institucion serb dhe shëndetësia është në kuadër të sistemit shëndetësor të shtetit të Serbisë. Kështu duhet dhe kështu do të mbetet… Të gjithë ju këtu jeni simbol i rezistencës, luftës për liri dhe simbol i qëndrimit tonë në të vetmin shtet, atë të Serbisë”, tha ai .

Ndërkohë, aty u paralajmërua se protestat do të vazhdojnë deri në heqjen e taksës nga Kosova.

Rakiqi u ka bërë thirrje protestuesve që të kthehen sërish në të njëjtin vend nga ora 12:00 të mërkurën.

Kjo protestë shkaktoi kaos në komunikacion në atë pjesë të qytetit, derisa pjesa tjetër ishte e qetë.