Të gjitha mashtrimet e Rrahim Hashimit, kjo është aktakuza e ngritur kundër tij në vitin 2015

E publikuar: 11/06/2019 20:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sipas aktakuzës së siguruar nga Gazeta Express, Rrahim Hashimi kishte mashtruar dhjetëra njerëz dhe kishte marrë nga ta gjysmë milioni euro. Në këtë listë bën pjesë edhe Xhavit Haliti, i cili thuhet se është shantazhuar nga njerëz që Hashimi i ka mashtruar në emër të tij. Ndërsa Hashimi ka marrë para për të punësuar njerëz në AKI, në Polici, ka përdorur bizneset e ndërmarrësve. Rasti “Spitali” tashmë është i njohur si kryemashtrim i Hashimit.

Albioneta Ademi

Krahas hetimeve ndaj Hashimit, bashkë me një rrjet të të dyshuarve për fajde në krye me Ismet Osmanin të njohur si Curri, hetimet kundër Rrahim Hashimit kishin filluar nga policia kur disa persona u ankuan se ai i ka mashtruar dhe u ka marrë qindra mijëra euro. Hashimi, bazuar në dokumentet që i posedon Gazeta Express, kishte përdorur mënyra të ndryshme për t’u marrë paratë njerëzve që besonin se ai, duke u nisur nga raportet që i kishte me njerëzit e pushtetit, u zgjedh probleme me shtetin.

Duket se Hashimi, me arsim të mesëm, ka zhvilluar një profesion interesant. Si ndërmjetësues në mes të qytetarëve që kishin qëllime të caktuara, dhe institucioneve shtetërore, duke u bazuar me lidhjet me zyrtarët e PDK’së, e herë në emër të pjesëtarit të UÇK’së.

Kështu, dikush që ka dashur të punësohet në Agjencinë e Inteligjencës, i ka dhënë para Rrahim Hashimit. Njëjtë ka ndodhur edhe me persona që kanë dashur të punësohen në Polici. Ndërsa një biznesmeni ia kishte marrë 4 kamionë dhe nuk ia ka kthyer asnjëherë.

Drejtoria Hetimeve të Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bazë të këtyre ankesave, ia kishte ka dorëzuar Prokurorisë Themelore të Prishtinës kallëzimin penal për Rrahim Hashimin, i cili dyshohej për mashtrim dhe shantazh. Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria më 2015, lista e mashtrimeve të Hashimit është e gjatë dhe e llojllojtë.

.

Hashimi në janar të vitit 2013, i kishte marrë para F.B  që ta punësonte në AKI, dhe sipas mesazheve që ai i ka deponuar në Polici, shihet se Hashimi i është shmangur takimeve me personin që njëherë ia ka marrë paratë.

Ndër të tjera në mesazhe F.B thotë se nëse është nevoja edhe vdes për paratë e tij, ndërsa e paralajmëron Hashimin se do t’i shkojë në banesë dhe nuk do t’ia lirojë, pa ia dhënë paratë.

Hashimi ia kthen duke i thënë se nuk dëshiron ta sheh as në banesë e as 200 metra afër saj, sepse në të kundërtën do t’ia tregojë vendin.

Madje i thotë se mund t’i shkojë në shtëpi “e ta çnjerëzojë në sy të gruas dhe të fëmijëve”.

Në aktet e mashtrimeve të tij Hashimi duhet të thënë që ishte jodiskriminues. Viktima kishte edhe në rrethin e familjes së tij. Bie fjala dy miq të vëllait të Rrahim Hashimit, Agimit, i kishin paguar atij nga 2500 euro për t’i punësuar në Polici.

Në bazë të bisedës mes dy vëllezërve kuptohet se Hashimi ia kishte kthyer në gusht të 2014’ës paratë për t’ua marrë më vonë me premtimin se do t’ua kalonte testin pranues në Polici.

Personii Z.O nga Fushë-Kosova, Hashimi ia ka marrë katër kamionë dhe ia ka shfrytëzuar për muaj të tërë, duke mos ia dhënë 70 mijë euro për të cilat ishin marrë vesh se do t’ia paguante me rata.

Madje, Hashimi nuk ia kthen asnjëherë kamionët dhe as 70 mijë eurot, duke i mbetur borxh më shumë se 167 mijë euro.

“I dëmtuari nuk arrin do t’ia marrë as paratë e as kamionat duke mbetur i mashtruar dhe duke ngelur debia në total nga i pandehuri në shumën prej 167,500.00”, thuhet në aktakuzë.

145 mijë euro ua kishte marrë Hashimi në vitin 2012 E.B dhe G.H nga Ferizaj duke u premtuar se me ndërmjetësimin e tij do t’ua bartë në pronësi një tokë 50 ari në të njëjtë komunë.

“Përmes llogarisë së tij [Rrahim Hashimi] prej 145,000.00 euro ka marrë nga të dëmtuarit E.B e G.H nga Ferizaj , për gjoja ndërmjetësimin e tijpër një pronë kontenstuese prej 50 ari në Ferizaj me mashtrimin se do t’ua bartë këtyre dy bashkëblerësve nga pronari S.L, por që sot e asaj dite pasi ua ka marrë paratë kurrë nuk ua ka kthyer as paratë e as që ua ka bërë bartjen e pronës”, thuhet në aktakuzë.

Më i mashtruari nga të gjithë, del të jetë biznesmeni Fatmir Dalladaku, të cilit, sipas aktakuzës, nga korriku i 2012’ës deri në gusht të 2014’ës e ka mashtruar për 464,000.00.

I fundit në aktakuzë përmendet nënkryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.

Tashmë është publike që Hashimi ka marrë para nga biznesmeni Faton Dalladaku, të cilin i kishte marrë qindra mijëra euro në emër të kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli dhe të zëvendësit të tij, Xhavit Haliti.

“Po ashtu me datën 25.07.2014 është iniciuar rasti 2014-XI-21 Shantazh dhe përmes deklaratës së ankuesit Xhavit Haliti (deputet në Kuvendin e Kosovës) mësojmë se atij i kishin ardhur disa SMS në telefonin e tij personal nga një numër telefoni, i cili sipas operatorit GSM “VALA” dalin të jenë numra të përdorur nga telefona mobile në shtetin e Kanadasë, konkretisht nga Kitchener – Ëaterloo, Bell Canada” me tekste që lënë të dyshojmë se Rrahim Hashimi kishte marrë të holla për një spital në Prishtinë në emrin e Xhavit Halitit dhe për këto të dhëna personi që kishte shkruar këtë SMS kanos Xhavit Halitin se do t’i publikojë më media këto të dhëna”, thuhet në aktakuzë.

Aty përmendet se Hashimi ka në posedim një kallashnikov, ndërsa gjatë kontrollimit të telefonit të tij, aty ka pasur pamje ku ai është parë duke gjuajtur me armë pa leje gjatë një ahengu në fshatin e tij në Vushtrri.

Krejt në fund përmendet një telefonatë të cilën e ka marrë Hashimi nga një grua, e cila e ka thirrur për punësim të një personi me emrin ‘Luli’. Ai i thotë se personi në fjalë nuk e ka kaluar testin me shkrim, dhe duhet të veprohet jashtëligjshëm.

Rrahim Hashimi është arrestuar dy javë më parë dhe po mbahet në paraburgim pasi u publikuan incizimet ku shihej se i ka marrë biznesmenit Dalladaku qindra mijëra euro.

Gazeta Express në vijim do të ju sjell dëshmitë e personave të përmendur që i kanë dhënë në Prokurori. Aty përfshihet edhe dëshmia e Xhavit Halitit dhe e shoferit të tij, Fadil Sfishta. /Express/