Të Enjten Startup Grind Tirana pret menaxherin e përgjithshëm të Sheraton Hotel Tirana Jose Pinto

E publikuar: 16/01/2018 07:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kemi hyrë në 2018-ën dhe Startup Grind Tirana do të mbajë takimin e parë për këtë vit më 18 Janar me një të ftuar special.

Takimi i fundit i Startup Grind u mbajt në restorantin “Mrizi i Zanave” me themeluesin e tij Altin Prenga.

Pasi jetoi për disa vite në Itali, Altin Prenga dhe vëllai i tij u kthyen në Shqipëri për të aplikuar idenë e tyre të një restoranti tradicional.

Për ta ishte e rëndësishme tradita, dashuria për tokën dhe prodhimin lokal. Kështu lindi “Mrizi i Zanave.”

I ftuari i radhës është Jose Pinto, menaxheri i Sheraton Hotel Tirana për të paktën tre vitet e fundit.

Me një eksperiencë 45 vjeçare pranë Sheraton Hotels dhe Marriot Internation Hotels Worldwide ai vjen në Startup Grind për të folur rreth eksperiencës së tij në Shqipëri dhe më gjere.

Sakaq Jose Pinto vjen me një eksperiencë të gjerë me menaxherë, pronarë dhe drejtues nga vende të ndryshme të botës.

Ai beson se pa një lidership, një disiplinë administrative dhe pa dashuruar atë që bën, vështirë të arrihen shumica e objektivave dhe qëllimeve.

Një drejtues pa këto cilësi as nuk mund të motivojë punonjësit e as të kënaqë konsumatorët.

Takimi i tij në Startup Grind vjen pak javë pasi Sheraton Hotel Tirana bëri të ditur largimin nga Shqipëria pas 14 vitesh.

Axhenda e takimit vijon:

5:30 pm – Networking

6:30 pm – Fireside chat

7:30 pm – Networking

Takimi sillet nga Gerti Boshnjaku, CEO dhe themelues i News Media Communication dhe revistës së njohur të biznesit në Shqipëri, Bussines Magazine Albania, Aneida Bajraktari një personazh nga bota e financës dhe drejtësisë me një pasion për inovacionin dhe zhvillim komunitar.

Startup Grind është një komunitet global startup-esh mbështetur nga Google for Enterprenuers ndërtuar për të edukuar, inspiruar dhe lidhur sipërmarrësit.

Çdo muaj mbahen takime në më shumë se 150 qytete dhe 65 shtete me të ftuar sipërmarrës lokalë, themelues të kompanive dhe investitorë të cilët ndajnë me këtë komunitet historitë dhe mësimet që kanë nxjerrë nga një sipërmarrje. /PCWorld Albanian