A do të duhej të mbahej mbledhja e qeverive Kosovë-Shqipëri, pas ‘fërkimeve’ të fundit?

E publikuar: 21/10/2016 12:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Debati i zhvilluar ditëve të fundit rreth identitetit shtetëror të shqiptarëve të Kosovës, ka filluar të marrë tone më të ashpra. Por, sipas opinionistëve dhe një pjese të politikës kosovare, hapjes së këtij debati i ka kontribuar roli “paternalist” që po e luan Edi Rama në raport me Kosovën, e ku i fundi ka theksuar se nuk merr leje nga askush që të flasë për Kosovën.

Por, pavarësisht këtyre “fërkimeve”, qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit në mes tyre, deri tani kanë mbajtur tri takime të përbashkëta, në margjina të të cilave janë nënshkruar një mori marrëveshjesh për bashkëpunim më të shtuar politik dhe ekonomik.

Takimi i parë në mes dy qeverive ishte zhvilluar në qytetin e Prizrenit, më 11 janar 2014 dhe ishte vlerësuar si historike. Ky takim pas më shumë se 100 vjetësh të pavarësisë së Shqipërisë, dhe pas më shumë se 6 vjetëve të pavarësisë shtetit të dytë të shqiptarëve, Kosovës.

 Takimi i dytë ishte mbajtur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë më 23 mars 2015, dhe takimi i tretë u mbajt më 3 qershor të këtij viti në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Por, se kur do të mbahet takimi i radhës, i cili pak a shumë do të kontribuonte në relaksimin e situatës së krijuar nga debati Kosovë-Shqipëri, ende nuk dihet.

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka thënë për Telegrafin se “nuk e di që është planifikuar apo caktuar ende data”.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur debatin e zhvilluar këto ditë si artificial dhe të panevojshëm.

 Ngjashëm është shprehur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka kërkuar unitet në mes shqiptarëve në të dyja anët e kufirit.

Por, rreth këtij debati nuk është prononcuar shefi i Qeverisë se Kosovës, Isa Mustafa.