Të dhëna që tregojnë se sa kushton të blesh nënshtetësinë e një vendi tjetër (Foto)

E publikuar: 05/03/2018 12:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Dominika, ishull në Karaibe, ku mund të bëhesh nënshtetas përkundrejt një investimi prej 100 mijë dollarësh (plus tarifat), tek Franca me 10 milionë euro, blerja e nënshtetësisë është në funksionim tashmë prej dekadash.

Për shembull St Kitts dhe Nevis, e kanë ofruar nënshtetësinë përkundrejt investimeve që në vitin 1984 dhe sot paratë që hyjnë nëpërmjet kësaj mënyre zënë 25 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Shitja e nënshtetësisë bëhet tashmë edhe në Europë, Kanada, SHBA, Australi, Singapor dhe Zelandën e Re.

Përgjithësisht bëhet për të nxitur investimet e huaja të drejtpërdrejta, por blerja e nënshtetësisë apo rezidencës bëhet shpesh edhe për të reduktuar detyrimet fiskale.

Në disa vende, përcjell GazetaDita, përveç investimit, ka kushte mbi kohën e qëndrimit apo kohën që duhet të kalojë nga aplikimi deri te marrja e nënshtetësisë.

Kështu, siç thuhet më tej, në SHBA përveç gjysmë milioni dollarësh minimum investimi, duhet të kalosh procedurat shtatëvjeçare si dhe të jetosh në SHBA për të paktën 180 ditë në vit.

Në Francë duhet të investosh 10 milionë euro si dhe të presësh pesë vjet para se të marrësh nënshtetësinë.

Greqia e jep pasaportën me 250 mijë euro dhe 7 vjet pritje, ndërkaq në Irlandë kërkohen 500 mijë euro pa periudhë pritjeje dhe pa detyrim për të jetuar atje.