Të burgosurit kërkojnë që Ivanov t’i falë ata

E publikuar: 19/04/2016 20:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

1800 të burgosur në Idrizovë dhe në burgun e Shtipit kërkojnë që presidenti Gjorge Ivanov t’i fal edhe ata. Me numër të burgut dhe firma, të burgosurit kërkesat e tyre ua kanë dorëzuar avokatëve, të cilët do t’i dorëzojnë në kabinetin e presidentit.

Të burgosurit i dërgojnë porosi presidentit Ivanov se u është bërë padrejtësi dhe janë lënë në harresë.

Duke marrë parasysh faljen kolektive të elitës politike janë të bindur se edhe ata meritojnë të falen. Të burgosurit nuk kërkojnë falje të plotë, por vetëm ulje të dënimeve prej 30 deri 50%.

Në mesin e atyre qw kanw nënshkruar ka edhe të dwnuar me burg të përjetshëm. Ata nga presidenti kërkojnë dënimet t’u ulen nga 15 deri 20 vjet. Presin përgjigje të shpejtë nga presidenti sepse në të kundërtën paralajmërojnë grevë urie.

“Më thanë se në qoftë se nuk marrin përgjigje në ndonjë afat të arsyeshëm, se të burgosurit do ta shfrytëzojnë gjithë atë që parashihet me ligj, sidomos të drejtën e votës, pra të mos votojnë, ata dhe familjet e tyre. Ndërsa bëhet fjalë për 15.000 persona”, deklaroi Davidoviq.

Për momentin në të gjitha burgjet ka 3152 persona të burgosur. Kërkesë për falje kanë paralajmëruar se do të dorëzojnë edhe të burgosur në burgje të tjera.

Dhe derisa të burgosurit kërkojnë falje, politikanët e falur kërkojnë shfuqizim të vendimit. Këtë deri më tani e bënë Zoran Zaev, Nikolla Gruevski, Trajko Veljanovski, Branko Cërvenkovski, tre prokurorët e Prokurorisë Speciale, Fetai, Stefanova dhe Bubevski, drejtori i burgut të Idrizovës, Pejkovski ndërsa tërheqje të vendimit për falje paralajmëruan edhe Mijallkov dhe kryetari i Manastirit, Taleski.

Nga kabineti i presidentit nuk u përgjigjën në çfarë mënyre do të shfuqizoheshin faljet, duke pasur parasysh se tanimë një nga të falurit doli nga burgu, ndërsa janë ndërprerë të gjitha procedurat gjyqësore për rastet “Puçi” dhe “Ryshfeti”./Alsat