Të bashkuar LDK-ja, kërkojnë koordinim me SHBA’në për reciprocitetin

E publikuar: 22/02/2020 10:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë të mendimit që vendosja e masës së reciprocitetit të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një gjë të tillë dje e ka thënë për Gazetën Express kreu i kësaj partie, Isa Mustafa.

“Themelore është që procesi të bashkërenditet me SHBA-të, si partner strategjik i yni.  Çështjet e tjera mbesin modalitete”, ka thënë Mustafa në një përgjigje për Gazetën Express.

Të njëjtin mendim ndanë edhe nënkryetarja dhe kryekuvendarja, Vjosa Osmani.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, Osmani ka thënë se vendosja e një mase të tillë që do të zëvendësojë taksën duhet të bëhet në bashkëpunim të plotë me Uashingtonin. Ajo gjithashtu ka treguar se janë në komunikim të përditshëm me amerikanët rreth çështjes së heqjes së taksës dhe vendosjes së reciprocitetit dhe potencon se në fund do të gjendet një modalitet i përbashkët që do të jetë në interes të Kosovës dhe mbrojtjes së miqësisë me SHBA’në.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në fund do të gjejmë një modalitet të përbashkët, i cili është në interes të vendit tonë, në interes të mbrojtjes së miqësisë me Shteteve të Bashkuara dhe rolit të tyre në këtë proces. Është në interes të dialogut dhe të realizimit sa më të shpejtë të një marrëveshjeje që është juridikisht e obligueshme dhe në të njëjtën kohë me njohje reciproke”, ka deklaruar Osmani.

Vendime të vështira është duke kërkuar edhe nënkryetari tjetër i LDK’së, Lutfi Haziri. Sipas tij është koha për largimin e taksës.

“Vendimet e vështira e bëjnë një lider të suksesshëm. Jo gjithmonë, janë vendime popullore për të tashmen, por të domosdoshme për të ardhmen. Koha për vendime të rënda, por të domosdoshme. Koha me e largu tarifën. Vlerësimet për reciprocitet bëhen në ecje e sipër”, ka thënë Haziri.

Ndërkohë ende nuk dihet nëse do të ndryshojë qëndrimi i Albin Kurtit, i cili ka thënë se taksën e heq në momentin që vendoset reciprociteti, qëndrim ky që është kundërshtuar nga SHBA’të, specifikisht emisari i Trump për dialogun, Richard Grenell.