Të akuzuarit e rastit “Z-Mobile” deklarohen të pafajshëm, seanca tjetër në nëntor

E publikuar: 27/09/2018 10:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agron Mustafa para gjykatës ka thënë se e ndien veten plotësisht të pafajshëm. Ai është ankuar se aktakuza ka shumë kundërthënie.

Mbrojtësi i tij ka thënë se aktakuza nuk e sqaron se për çka realisht akuzohet ai.

Edhe i akuzuari tjetër, Rexhë Gjonbalaj nuk e ka pranuar me atë çka e ka ngarkuar Prokuroria Speciale.

Me leximin e aktakuzës ka përfunduar seanca fillestare. Shqyrtimi i dytë do të mbahet më 7 nëntor.

Fillon seanca gjyqësore ndaj Agron Mustafës dhe të tjerëve për rastin “Z-Mobile”

Ka filluar seanca në gjykimin e ish-kryeshefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, raporton Koha Ditore.

Ai së bashku me Ejup Qerimin dhe Rexhë Gjonbalajn akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Të tre të akuzuarit janë të pranishëm në seancë.

Aktakuza ndaj tyre, e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka të bëjë me marrëveshjen PTK – Z-Mobile.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale, dërguar më 17 gusht të këtij viti, thuhej se Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj po akuzohen se duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim që t’i shkaktojnë dëme materiale dikujt tjetër. Sipas njoftimit, Qerimi akuzohet për veprime të kryera gjatë periudhës kohore shkurt 2012-tetor 2014, kurse Agron Mustafa për veprime të kryera nga 19 shkurti 2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse e deri më 24 maj 2017, kur ki njëjti, edhe pse nuk ka qenë kompetent, kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi në periudha të ndryshme kanë ushtruar detyrën e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, kurse Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit.