Tashmë kushdo mund të blejë një domain .dev

E publikuar: 01/03/2019 12:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Domaini në pronësi të Google, .dev, është i hapur për të gjithë ata që duan të blejnë një të tillë nga dita e djeshme.

Kompania thotë se .dev është një hapësirë e dedikuar për zhvilluesit dhe teknologjinë si një mënyrë për të treguar mjetet e tyre, gjuhët e programimit dhe blogje rreth këtyre tematikave.

Për të blerë një domain .dev mjafton të kërkoni nëse është i lirë në një prej regjistruesve tuaj të preferuar ku edhe Google mbetet një opsion.

Si bonus Google ofron një domain .dev falas për të gjithë ata që kanë aplikuar për një biletë në Google I/O që do të mbahet në muajin Maj.

Domainet .dev do të jenë të sigurta sepse detyrimisht kërkojnë protokollin HTTPS. Google tashmë ka kaluar në domainin e ri disa prej sajteve si web.dev, opensource.dev dhe flutter.dev.

Interneti ka ndryshuar shumë që nga ditët e para kur ishin të disponueshme domainet .com, .org dhe .net. Sot mund të blini domainet që kanë mbarime të ndryshme si .cool apo edhe .ninja. Disa domaine me mbarime unike kanë vlerë reale. Së pari u japin një përshtypje përdoruesve se për çfarë bëhet fjalë në një internet pushtuar nga domaini .com.

A ju ka qëlluar ndonjëherë të kërkoni emrin tuaj si emrijuaj.com dhe të mësoni se domaini është në shitje për 2,000 dollarë? Mbase emrijuaj.dev do të ishte një zgjedhje e mirë dhe e përballueshme. /PCWorld Albanian