Tarifat amerikane, shtohen shqetësimet

E publikuar: 24/05/2018 18:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kina dhe Japonia kritikuan vendimin e Presidentit amerikan Donald Trump për të nisur një hetim mbi ndikimin që kanë importet e automjeteve në sigurinë kombëtare. Presidenti Trump po kërkon të vendosë tarifa deri në 25 për qind për importet e makinave. Duke premtuar ringjallje të prodhimin amerikan, ai ka nisur një sërë veprimesh në fushën e tregtisë, përfshirë rritjen e tarifave për importet e çelikut dhe aluminit.

Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë Gao Feng, u tha sot gazetarëve se abuzimi me nenet e sigurisë kombëtare minon sistemin e tregtisë shumëpalëshe dhe shkakton ndërprerje të tregtisë normale ndërkombëtare.

Sipas Ministrit japonez të Tregtisë Hiroshige Seko, nëse hetimet e autoriteteve amerikane përfundojnë me vendosjen e tarifave të reja, kjo do të sillte trazira në tregun ndërkombëtar.

Nëse tarifat amerikane të importit zbatohen, ato do të shkaktonin çoroditje të madhe në ekonominë botërore, si dhe efekt negativ në kuadrin tregtar shumëpalësh që funksionon nën sistemin e Organizatës Botërore të Tregtisë, gjë që është për të ardhur shumë keq“, tha ai.

Zoti Trump ka përmendur sigurinë kombëtare si arsye për vendosjen e tarifave prej 25 për qind për importet e çelikut dhe 10 për qind për ato të aluminit.

Ai po kërkon të vendosë tarifa deri në 25 për qind për importet e makinave. Duke premtuar ringjallje të prodhimin amerikan, zoti Trump ka nisur një sërë veprimesh në fushën e tregtisë, duke kërkuar që Kina të importojë më shumë mallra amerikane, nisjen e bisedimeve për të rinegociuar marrëveshjen tregtare NAFTA dhe imponimin e tarifave për importin e çelikut dhe të aluminit.

Dje në një postim në tweeter presidenti tha se së shpejti do të ketë lajme të rëndësishme për industrinë amerikane të makinave.

Sipas gazetës “Wall Street Journal”, e cila citonte burime të industrisë së automobilëve, plani për t’u hakmarrë, ka të ngjarë të përballet me kundërshtime të konsiderueshme nga partnerët e tregtarë dhe tregtarët e automobilëve që shesin produkte të importuara.

Gjithashtu ka pak gjasa që ky veprim të ketë miratimin e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Pesë importuesit kryesorë të automjeteve janë aleatët kryesorë të SHBA-së: Meksika, Kanadaja, Bashkimi Europian, Japonia dhe Koreja e Jugut.