Tanjug e kishte quajtur kriminel Haradinajn, jo Lista Srpska

E publikuar: 25/02/2017 17:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një pjesë e mediave në Kosovë e kanë përkthyer gabimisht një deklaratë të Listës Srpska sa i përket akuzës se Ramush Haradinaj është kriminel. Në fakt, tanjug e kishte quajtur kriminel ish-Kryeministrin e Kosovës, ndërsa, Lista Srpska vetëm kishte kritikuar deklaratat e ish-Presidentit të Kroacisë, Stipe Mesic, i cili kishte vizituar Kosovën dhe selinë e AAK’së.

Një përkthim i pasaktë i deklaratës së Listës Srpska ka bërë që edhe Ramush Haradinaj të bie në lajthitje dhe të paralajmërojë padi ndaj Listës Srpska.

Disa medie në Kosovë kanë shkruar se Haradinaj ishte cilësuar si kriminel nga Lista Srpska. Por, në fakt, një cilësim të tillë e kishte bërë tanjug.rs në titullin e tekstit që kishte folur për Mesic dhe vizitën e tij në Kosovë. Tanjug kishte vendosur në titull se Lista Srpska e kishte quajtur kriminel, por, në asnjë pjesë të tekstit nuk e kishte argumentuar një pohim të tillë.

Askund në deklaratën e Srpska’s nuk ishte përmendur Haradinaj si kriminel.

Kryetari i Listës Srpska, Slavko Simic ka deklaruar se me AAK’në kanë bashkëpunim të shkëlqyer derisa ka demantuar mediat sa i përket akuzave në drejtim të Haradinajt.

“Ku e keni marrë këtë?. Ne kemi bashkëpunim të shkëlqyer me AAK-në”, ka thënë Simic, për indeksonline.

Lista Srpska përfaqëson pakicën serbe në institucionet e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, reagimi i Shefit të Srpska’s kishte ardhur vetëm pas paralajmërimit të Haradinajt se do ta bëjë padi për shpifje dhe fyerje.