Talibanët fillojnë ofensivën e pranverës në Afganistan

E publikuar: 29/04/2018 19:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Talibanët në Afganistan kanë filluar të ashtuquajturën ofensivën e pranverës, me dhjetëra sulme guerrile dhe shpërthime me eksploziv ndaj forcave të sigurisë. Dje, talibanët morën nën kontroll një pjesë të provincës Kunduz, ku vetëm dy ditë më parë ishin vrarë 14 ushtarë afganë. Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan është duke zhvilluar bombarbime të shumta, pas rreth 17 vitesh lufte të cilës nuk po i duket fundi. Nuk është e qartë nëse bombardimet po ndihmojnë për përfundimin e luftës.

Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, avionët e koalicionit zhvilluan më shumë bombardime se gjatë gjithë fillimit të 15-të viteve të fundit.

Është treguesi më i fundit se lufta po intensifikohet ndjeshëm, që kur Presidenti Donald Trump shpalli strategjinë e re ushtarake në muajin gusht.

Por, për gati 17 vjet, bombat nuk i kanë dhënë dot fund konfliktit. Thomas Johnson thotë se më shumë bomba nuk duket se do të përmirësojnë gjë.

“Mendoj se është një gjest dëshpërimi. Nuk mund të vriten nga ajri mjaftueshëm talibanë për të patur një impakt domethënës në këtë luftë”, thotë zoti Johnson.

2018-ta duket se do të bëhet edhe i dhunshëm, pasi luftimet shtohen gjatë muajve më të ngrohtë të vitit. Rreth 60 persona u vranë pak ditë më parë kur Shtetit Islamik sulmoi një qendër regjistrimi të votuesve në Kabul.

Dhuna po shtohet megjithëse Presidenti afgan Ashraf Ghani u pati bërë thirrje talibanëve të bëheshin pjesë e skenës politike dhe të merrnin pjesë në zgjedhje. Kjo lloj përpjekjeje u lavdërua nga analistët që mendojnë se nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë konflikt.

“Edhe nëse dyfishohet numri i sulmeve ajrore të tanishme, nuk do ta fitojmë kurrë ushtarakisht këtë konflikt. E vetmja zgjidhje është ajo politike”, thotë zoti Johnson.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se fushata e bombardimeve është pjesë e një strategjie më të madhe që do të çojë drejt një zgjidhjeje të negociuar, pavarësisht se sa do të duhet për t’ja arritur kësaj.

“Jemi tashmë të kushtëzuar nga rrethanat dhe jo afatet kohore. Do të qëndrojmë derisa të përmbushim detyrën”, thotë Gjeneral John Nicholson, i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.

Por, vetë gjeneralët pranojnë se konflikti nuk po gjen zgjidhje.

Sipas vlerësimeve më të fundit, qeveria afgane kontrollon vetëm rreth gjysmën e rajoneve të vendit, ndërsa rebelët kontrollojnë pjesën tjetër.