Talenti shqiptar, Elif Elmazi është dëshira e madhe e Dortmundit

E publikuar: 31/03/2018 10:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në elitën e futbollit gjerman pritet të shtohet numri i futbollistëve shqiptarë.

Është gjiganti gjerman, Borussia Dortmund që e ka vënë në listë mesfushorin e talentuar shqiptar, Elif Elmazin.

18-vjeçari i transferuar në Fenerbahce nga Rabotnicki ka filluar të luaj pas muajit janar me gjigantin turk.

E duket se skautët e Dortmundit e kanë përcjellë gjatë dhe tani po tentojnë ta transferojnë atë në Gjermani.

Mediat gjermane kanë raportuar se Dortmund ka në plan transferimin e shqiptarit qysh në afatin kalimtar të verës.

Besohet se klubi verdh e zi është i gatshëm të ofrojë rreth dy milionë euro për ta transferuar në Signal Iduna Park talentin shqiptar.

Elmazi një vit më parë u zgjedh si futbollisti i vitit në Maqedoni falë paraqitjeve fantastike me Rabotnickin.

Ai ka zhvilluar pesë ndeshje me skuadrën e madhe turke Fenerbahce ku ka bërë edhe një asistim për Kupën e Turqisë.

Reprezentuesi i Maqedonisë ka kontratë me klubin nga Stambolli deri në qershor të vitit 2022. /Telegrafi/