Taksa të reja të sigurimit kufitar

E publikuar: 23/05/2015 17:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Guvernatori thotë se brenda qershorit do të miratohen tarifat e reja të sigurimit kufitar, që do të jenë më të ulëta sesa ato aktualet.Brenda muajit qershor do të miratohen tarifat e reja të sigurimit kufitar, që do të jenë më të ulëta sesa ato që zbatohen aktualisht.
Kështu tha guvernatori i Bankës Qendrore, Bedri Hamza, gjatë raportimit të sotëm para anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa. Para këtij komisioni raportoi sot edhe ministri i financave, Avdullah Hoti, rreth zbatimit të pakos së re fiskale. Ndërkohë, komisioni miratoi në parim projektligjin e ri të TVSH-së.
Bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë pas 1 korrikut të këtij viti ka gjasë të paguajnë tarifë të sigurimit kufitar më të ultë sesa që është aktualisht, tha guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza. Ai theksoi se deri tani nuk janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë për anëtarësimin e Kosovës në Byronë e Kartonit të Gjelbër, dhe derisa të arrihet një gjë e tillë, do të përdoren disa alternativa tjera.
“Brenda muajit qershor do të kemi tarifa të reja, më të vogla sigurisht sepse të gjitha analizat tregojnë se duhet të jenë më të vogla, dhe besoj që do të finalizohet marrëveshja që është duke u negociuar në Bruksel që zgjidh një pjesë të problemit dhe të hapen alternativat që ne të përdorim Kartonin e Gjelbër të ndonjë vendi të tretë, ose të kemi marrëveshje dypalëshe me shtetet veç e veç”, tha ai.
Anëtari i komisionit nga Vetëvendosja, Ilir Deda, shfaqi dyshime se procesi mund të zgjasë edhe shumë kohë.
“Ne jemi duke e diskutu për një kohë shumë të gjatë, nuk kemi kohë për arsyetim prej të tjerëve por është koha për veprim të përbashkët”, tha Deda.
Kryetari i komisionit, Naser Osmani, theksoi se nevojitet një mobilizim i përgjithshëm për anëtarësim të plotë të Kosovës në Byronë e Kartonit të Gjelbër në Bruksel. Njëkohësisht sipas tij duhet të shikohen edhe alternativat tjera, që të krijohen lehtësi për bashkatdhetarët.
“Ne po shikojmë deri në shtator sa do të lëvizë kjo, nëse nuk lëvizë cështja e këtyre alternativave që i përmendëm, si komision funksional do të inicojmë ndryshimin e ligjit për këtë cështje”, tha Osmani.
Për 15 ditë të qëndrimit në Kosovë tarifa është 30 euro, kurse për 30 ditë 41 euro.
Sot para komisionit për buxhet dhe financa raportoi edhe ministri i financave, Avdullah Hoti, rreth ligjit të ri të TVSH-së. Sipas tij ndryshimet që parasheh ky ligj do të kenë ndikime pozitive të shumanshme.
“Nuk pres që do të ketë abuzime me normat e përshkallëzuara prej kësaj liste, pra norma 8 për qind për bukë, kripë, vaj përcaktohet në treg, por cmimet e rrymës, ngrohjes dhe ujit janë cmime të rregulluara”, tha Hoti.
Ndryshe komisioni e miratoi në parim këtë projektligj, dhe ia procedoi kuvendit për shqyrtim dhe miratim.