Taksa e re për banesat dhe bizneset, llogaritja sa do të paguajnë shqiptarët për pronat

E publikuar: 25/10/2017 09:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një taksë e re për banesën do t’i shtohet familjeve shqiptare me fillimin e vitit tjetër.
Nga 1 Janari i vitit të ardhshëm qytetarët dhe bizneset do të paguajnë taksë mbi pronën mbi bazën e vlerës reale të ndërtesës.

Drafti i paketës fiskale 2018 zbulon për herë të parë së taksa mbi pasurinë do të rritet për qytetarët dhe do të pësoje ulje të ndjeshme për bizneset.

Konkretisht nga viti i ardhshëm taksa mbi ndërtesat për banim do të jetë 0.05% e vlerës reale të ndërtesës, ndërsa për bizneset do të jetë 0.15%.

Për një apartament që vlen 40 mijë euro do të paguhet rreth 20 euro taksë prone në vit ose rreth 3 mijë lekë (të reja). Për një apartament me vlerë 80 mijë euro do të paguhet dyfishi e kështu me radhë sipas vlerës së pronës. Kjo shumë do të ndahet në 12 muaj të vitit, por për një biznes me vlerën 100 mijë eurove taksa do të jetë 150 euro në vit.

Drafti përjashton nga kjo taksë pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse; ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara; banesat sociale në pronësi të bashkive dhe pasuritë e paluajtshme që përdoren nga bashkitë si banesa sociale.

Drafti përjashton nga taksa e pasurisë të gjitha ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare.

Qeveria ka të paktën dy vite konsultime me Fondin Monetar Ndërkombëtar për vendosjen e taksës mbi pronën sipas vlerës reale të tregut.

Sipas FMN-së, vlera e taksës mbi pronën duhet të jetë nga një minimum prej 0.075% të vlerës deri në maksimumin prej 0.15% të vlerës së pronës.

Taksimi duhet të niste me katër nga qarqet më të mëdha në vend, konkretisht Tiranë, Durrës, Korçë dhe Fier. Por financat në ligj parashikojnë që taksa të shtrihet në të gjithë vendin dhe vlera të jetë shumë herë më e ulët se propozimi i FMN-së.