Taksa e dialogu, presionet që e presin kryeministrin e ardhshëm

E publikuar: 25/08/2019 23:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sfidat e qeverisjes së ardhshme më tepër do të lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare se sa me problemet e brendshme, thonë analistët politikë.

Sipas tyre qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e parakohshme duhet të fokusohet në procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi. Po ashtu, ata konsiderojnë se ekzekutivi i ri duhet të jetë shumë më stabil dhe me një përfaqësim prej më shumë se 75 deputetëve në Kuvend.

Heqja e taksës dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi është tema me të cilën qeverisja e ardhshme do të përballet që në fillim të mandatit. Për këtë çështje është bërë e zëshme edhe ambasada e SHBA-vë në Kosovë, thotë për Radio Kosovën njohësi i rrethanave politike Fadil Lepaja.

“Në fakt edhe sfida e qeverisjes së kaluar edhe e asaj që do të formohet pas zgjedhjeve është e njëjta, dhe ka të bëjë me tepër me marrëdhëniet ndërkombëtare sesa me problemet e brendshme që ka Kosova. Është sfida e dialogut dhe pengesat që janë vu në rrotëzat e mekanizmit të bisedimeve, qoftë duke e ndërruar subjektin, qoftë me përpjekje për me e ndërru subjektin, qoftë me përpjekjen për me e blloku procedurën për procesin e bisedimeve”, ka theksuar Lepaja.

Qeveria e ardhshme, do të ballafaqohet me çështjen më kruciale në këto 20 vitet e pasluftës, siç është ratifikimi i marrëveshjes së mundshme Kosovë-Serbi, thotë analisti tjetër Fisnik Halimi. Sipas tij për t’u arritur kjo, do të duhej një qeveri stabile e cila arrin të ketë së paku 75 deputetë në Kuvend.

“Qeveria e ardhshme do t’i ketë së paku 75 deputetë të cilët vijnë nga 3 tabore të ndryshme dhe vetëm një qeveri e tillë do të mund të ishte e pranueshme për partnerët ndërkombëtarë si dhe do të mund të kryente detyrat të cilat Kosova i ka përballë në rrugën e saj, drejt subjektivitetit ndërkombëtar gjegjësisht drejt ulëses në OKB”, është shprehur Halimi.

Edhe Artan Muhaxhiri thotë se mbi qeverinë e ardhshme do të ketë presion ndërkombëtar pikërisht për çështjen e dialogut.

“Pritet që ndërkombëtarët të bëjnë presion shumë të madh në fituesin e zgjedhjeve, në mënyrë që të krijohet një qeveri stabile, e cila do të mund t’i çonte përpara disa procese, siç është vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe përfundimi i këtij procesi jashtëzakonisht të rëndësishëm. Për këtë arsye, pritet që të gjitha presionet që do të vihen në mandatarin e ardhshëm, të shkojë drejt krijimit të një qeverie stabile”, ka thënë Muhaxhiri.

Ndonëse nuk është përcaktuar ende fushata zgjedhore , partitë politike kanë nisur të kontaktojnë publikun dhe të shfaqin premtimet e tyre, por që asnjëra nga to, nuk është deklaruar se do të heq taksën ndaj Serbisë-kërkesë kjo edhe e bashkësisë ndërkombëtare./Radio Kosova