Takimi i Selanikut, pa epilog për emrin e Maqedonisë

E publikuar: 04/05/2018 15:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë në Selanik, në kuadër të një konference rajonale, nuk pritet të shënojë ndonjë rezultat konkret sa i përket çështjes së emrit, bazuar në qëndrimet e deritashme të palëve.

Edhe kësaj radhe, ministrat Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, kanë theksuar gatishmërinë për vazhdimin e procesit të negociatave deri në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme, por një përkushtim të tillë ata, sikurse edhe zyrtarë të tjerë, e kanë përsëritur në të gjitha takimet e deritashme.

Kryeministri Zoran Zaev, para takimit të shefave të diplomacisë, tha se arritja e një zgjidhjeje të pranueshme mbetet synimi kryesor i Qeverisë, por në rast të dështimit, ai tha se Maqedonia nuk duhet demoralizohet, por përkundrazi të vazhdojë me reformat për ta sjellë, siç tha ai, Evropën në Maqedoni.

“Nëse edhe më tej bllokohemi në synimin tonë për anëtarësim në NATO dhe BE, edhe pse unë besoj se kjo më nuk do të ndodhë, por nëse ndodh, ne do të duhet që Evropën ta sjellim këtu, pasi ndryshe nuk do të mundet. Pse? Kjo për shkakun se edhe sikur të mos ekzistojë Evropa, ne do të duhej të vazhdonim me reformat pasi duhet të sigurojmë kualitet qytetarëve tanë”.

“Por, më duhet të them se Maqedonia, përveç NATO-s dhe BE-së, nuk ka alternativë tjetër, andaj edhe po qëndrojmë në tryezën e bisedimeve. Janë të vështira, të dhimbshme, por më e dhimbshme është kur shohim se qytetarët tanë mund të mos kenë perspektivë. Mendoj se është edhe në interes të palës greke që të ketë zgjidhje, të kemi raporte të mira dypalëshe dhe në vend të kontesteve, të kemi bashkëpunim për të mirën e qytetarëve tanë”, deklaroi Zaev.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare, thonë se është mirë që te Qeveria e Maqedonisë mbizotëron optimizëm, por megjithatë nga ajo, sipas profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare, Llazar Llazarov, nuk varet zgjidhja e çështjes së emrit. Ai ka thënë se kontesti mund të mbyllet vetëm nëse pala greke heq dorë nga qëndrimet e forta e në favor të një zgjidhjeje të pranueshme për dy shtetet.

“Qeveria po shpreh optimizëm të theksuar, duke filluar nga kryeministri e kështu me radhë. Kjo është për t’u përshëndetur. Por, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se zgjidhja e çështjes së emrit nuk varet nga ne, pasi sikur të varej prej nesh, moti do të ishte zgjidhur”.

“Pra, është pala greke ajo që duhet t’i japë shtytje procesit, megjithatë filozofia politike greke qëndron në atë që të kërkojnë sa më shumë për të fituar atë që dëshirojnë. Duke u nisur nga kjo, unë personalisht nuk pres të ndodhë diçka pasi tashmë është e qartë se zgjidhje nuk mund të ketë pa ndryshimin e Kushtetutës e kjo nuk mund të ndodhë për shkak të mungesës së konsensusit te ne”, ka vlerësuar Llazarov.

Ndryshe, takimi i ministrave të Jashtëm të Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit.

“Kjo iniciativë është shndërruar në një bazë të përbashkët për bashkekzistencën tonë, ku ne mund të shkëmbejmë pikëpamje të sinqerta, ashtu siç bëjmë gjithmonë. Ne kemi probleme, por ne nuk mund të zhvillojmë marrëdhëniet tona duke i mbuluar ato”.

“Duke diskutuar për to, duke shkëmbyer mendime, kritika dhe komente, ne i ndihmojmë zgjidhjes problemeve dhe të bëjmë progres”, ka deklaruar ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në fjalimin para ministrave të Jashtëm të katër vendeve të rajonit.