Takimi i G-7-ës dhe tensionet për çështjen e tregtisë

E publikuar: 07/06/2018 22:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Udhëheqës të demokracive më të zhvilluara të botës takohen këtë fundjavë në Kebek të Kanadasë, në mesin e tensioneve në rritje lidhur me çështjen e tregtisë. Ndërsa takimi i G-7-ës mund të mbetet në hije, për shkak të një tjetër takimi historik javën e ardhshme në Singapor, analistët thonë se takimi i G-7-ës mund të jetë po aq i rëndësishëm për të ardhmen e ekonomisë botërore, ose për vazhdimësinë e rolit udhëheqës të Shteteve të Bashkuara për çështje botërore.

Në mesin e frymës së kolegjialitetit dhe buzëqeshjeve…ekziston një hendek që po thellohet më tej, ndërsa ministrat e financave nga vendet më të industrializuara përgatiten për takimin e G-7-ës në Kanada.

“Ky mund të jetë një takim tepër i tensionuar për standartet e

G-7-ës, për këtë nuk ka dyshim.” – thotë studjuesi Jacob Kirkegaard.

Jacob Kirkegaard, studjues me përvojë në Institutin e Ekonomisë Botorëre Peterson, thotë se vendimi i administratës Trump për vendosjen e tarifave ndaj importeve të aluminit dhe çelikut nga aleatët më të afërt të Amerikës, do të sjellë një izolim të mëtejshëm të Shteteve të Bashkuara dhe kërcënim real për luftë tregtare:

“E kombinuar me një sinjal të qartë dhe me një synim të përcaktuar të administratës, për të bërë ndoshta të njëjtën gjë me industrinë e automobilëve dhe pjesët e këmbimit…kjo politikë nuk është tregues për një luftë tregtare globale, por për një luftë tregtare të Shteteve të Bashkuara kundër të gjithëve.”

Të mërkurën, drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar Larry Kudlow, u doli në mbrojtje veprimeve të administratës dhe e cilësoi mosmarrëveshjen “një grindje brenda familjes”:

“Presidenti Trump është shumë i qartë kur është fjala për përpjekjen e tij për reformë tregtare, pra që ne duhet të bëjmë ç’është e mundur për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara, bizneset dhe krahun amerikan të punës.”– tha zoti Kudlow.

Por disa ekonomistë thonë se politika “Amerika e Para” do të çojë në rezultatin “Amerika e vetme”. Disa janë duke i drejtuar sytë nga Kanadaja, organizatorja e takimit të këtij viti, që t’i fillojë e para kritikat.

“Kjo politikë ka për të shkaktuar humbjen e vendeve të punës për amerikanët dhe për kanadezët. Ne do të përgjigjemi në mënyrën e duhur për të çuar një sinjal, se kjo politikë, sipas pikëpamjes sonë nuk ka për të funksionuar.”– tha ministri i jashtëm i Kanadasë.

Vendet evropiane dhe Kanadaja kanë kërcënuar se do të marrin masa të ngjashme, duke vendosur tarifa të reja ndaj produkteve amerikane. Por grindjet në gjirin e familjes mund të kenë pasoja negative për udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara në botë, për të cilat analistët thonë se do të përfitonte Kina.

“Kjo politikë i leverdis Kinës, e cila shihet si një fuqi e re globale në rritje dhe Shtetet e Bashkuara po vetizolohen, pikërisht diçka që e do udhëheqja kineze.”– thotë analistë Jacob Kirkegaard.

Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin e hedh poshtë argumentin se Shtetet e Bashkuara kanë hequr dorë nga roli i tyre udhëheqës në ekonominë globale dhe thotë se rezultatet, siç janë niveli i ulët i papunësisë dhe shtimi i besimit të konsumatorëve dhe bizneseve e dëshmojnë këtë.

Por brenda kështjellës madhështore, ku do të mbahet takimi G-7-ës, kritikët thonë se delegacioni amerikan do të përballet me një pritje të akullt.