Tahiri: Vendosja e shtetit në binarë kërkon guxim, qartësi e vullnet

E publikuar: 28/08/2019 13:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se është hipokrizi kur partitë që nuk e votuan Pakon e Ligjeve të Reformës së Administratës Publike flasin për depolitizim e ç’kapje.

Tahiri përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “vendosja e shtetit në binarë dhe çkapja nuk janë deklaratë, ato kërkojnë guxim, qartësi e vullnet”.

Postimi i plotë:

Është hipokrizi kur partitë që nuk e votuan Pakon e Ligjeve të Reformës së Administratës Publike flasin për depolitizim e çkapje.

Janë po këto parti që për interesa elektorale dëshironin të bllokonin këtë proces që ishte kërkesë nga 2012 në raportin për vendin i Komisionit Evropian.

Ishin këta që nuk mbështetën Racionalizimin (zvogëlimin radikal) të Agjencive, barazinë në pagë dhe vendosjen e rregullit në rekrutim dhe avancim.

Ishin këta që në administatë kishin krijuar 14 mijë tituj për të avancuar politikisht dhe pa meritë dhe kjo u reduktua në 3 mijë.

Vendosja e shtetit në binarë dhe çkapja nuk janë deklaratë, ato kërkojnë guxim, qartësi e vullnet. Ishte Kryeministri që pati guximin dhe vullnetin ta kthej në binarë një sistem që i shërbente partive e jo qytetarëve.

Këtë, jo që po duam ta themi ne, por janë vlerësimet më kredibile që tregojnë këto rezultate:

Indeksi i Bankës Botërore për cilësinë e hartimit të politikave në qeveri: Nga 187 vende Kosova renditet në vendin e 24-të;

Raporti për Kosovën 2019 i Komisionit Evropian thekson se në administratën publike dhe qeverisjen e mirë paketa legjislative e miratuar në shkurt paraqet një reformë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse të shërbimit civil, të funksionimit dhe llogaridhënies së organeve dhe agjencive publike dhe reformë të pagave.

Madje, këto reforma pranohen edhe nga qeveritë më të rëndësishme evropiane, ku ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë Heiko Mass thekson: ‘Reformat të cilat janë ndërmarrë nga Kosova janë mbresëlënëse dhe duhet të pranohen’.

Pra, reformat jo vetëm se kanë dhënë rezultate, por ato vlerësohen dhe janë hapat e sigurtë që i hapin Kosovës prespektivën evropiane.