Tahiri u flet ambasadorëve të BE-së për zhvillimet në sundimin e ligjit

E publikuar: 19/03/2019 15:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka takuar sot ambasadorët të vendeve të Bashkimit Evropian, me të cilët diskutoi për sundimin e ligjit në Kosovë.

Tahiri njoftoi ambasadorët për reformat e ndërmarra legjislative të këtij sektori, që sipas tij kanë qenë të diktuara nga tre përbërës themelor: rekomandimet e Komisionit Evropian të shprehura në raportet e vendit; përmbushja e Agjendës së Reformave Evropiane; si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, njofton Klan Kosova.

Ministri ka përmendur ndryshimet e bëra nisur nga Kodi i ri Penal, reformimin e politikës së parandalimit të konfliktit të interesit përmes Ligjit të ri që rregullon këtë fushë, Pakon Kundër Korrupsionit si dhe Pakon e ligjeve të Gjyqësorit. Sipas ministrit Tahiri, ndryshime thelbësore janë bërë edhe në Draft Kodin e Procedurës Penale, ndërsa aktualisht po punohet në Projektligjin për Deklarim të Pasurisë.

“Po shqyrtojmë listën e deklaruesve, për të bërë subjekte deklarimi secilën pozitë ku ka potencial për abuzim.  Jemi duke vendosur standarde të reja uniforme sa i përket të dhënave të deklaruara dhe jemi duke vendosur mekanizma të mirëfilltë të matjes së saktësisë së të dhënave të deklaruara që Agjencia do t’i ketë në dispozicion për verifikim”.

Ministri Tahiri ka përmendur edhe Agjendën e përbashkët “Drejtësia 2020”, e cila synon të adresojë pesë probleme themelore: reduktimin e backlogut; plotësimin e kapaciteteve; koordinimin ndërinstitucional; rritjen e performancës dhe përgjegjësisë së organeve të pavarura të zbatimit të ligjit; si dhe zbatimin efikas të ligjeve.

“Angazhimi i përbashkët i institucioneve të sistemit të drejtësisë në këtë agjendë është bërë mbi bazën e nevojës për një koordinim më të mirë dhe për një vetëdijesim më të madh ndër institucional për zbatimin e ligjit, gjithmonë duke ruajtur pavarësinë, pacenueshmërinë dhe individualitetin e secilit prej institucioneve të këtij sistemi” ka thënë Tahiri.