Tahiri takon homologen nga Shqipëria, diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit juridik

E publikuar: 26/03/2019 15:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka pritur sot në takim Ministren e Drejtësisë së Shqipërisë, Etilda Gjonaj, me ç’rast kanë diskutuar për sistemin e drejtësisë në të dyja vendet si dhe për thellimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar .

Tahiri ka potencuar punën e bërë në reformimin e drejtësisë, nisur nga Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit, proces i udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë dhe me pjesëmarrjen e akterëve kryesor, dhe institucioneve ndërkombëtare, që do të definojë vlerat, përgjegjësitë dhe mandatet që synojnë një rend juridik demokratik, të përgjegjshëm dhe efikas.

Përmirësimi i përvojës së qytetarëve me gjyqësorin, sipas ministrit Tahiri, do të arrihet përmes agjendës së përbashkët “Drejtësia 2020”, që synon që për dy vite, problemet kryesore të sektorit të zgjidhen dhe të përfundoj tranzicionin në drejtësi.

Ministrja Gjonaj ka njoftuar ministrin Tahiri lidhur me zbatimin e reformave të ndërmarra në gjyqësor në Shqipëri, si dhe ka kërkuar shkëmbimin e përvojave në çështjen e ndërmjetësimit, si njëra nga mundësitë kryesore që qytetarët kanë në zgjidhjen alternative të rasteve të tyre.

Gjonaj gjithashtu ka ofruar mbështetjen e institucioneve të Shqipërisë në integrimet evropiane, me përvojën që kanë në përmbushjen e obligimeve të dala nga hapja e kapitujve 23 dhe 24 të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në takim është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar si dhe bashkëpunimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës me institucionet korrektuese në Shqipëri.